FMN kritikon huadhënësit evropian të Greqisë

FMN kritikon huadhënësit evropian të Greqisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një parashikim të zymtë këtë të premte për Greqinë e varur nga ndihmat e shpëtimit, në të cilin thuhet se institucioni në fjalë pret që papunësia e vendit evropian të mbetet në norma dyshifrore për me shumë se 3 dekada.

Në raportin e tij të përvitshëm, FMN-ja ka bërë gjithashtu thirrje për lehtësim të mëtejshëm të borxheve nga ana e huadhënësve evropianë, duke shkuar përtej propozimit ekzistues, nëse “mali” i borxheve të Greqisë do të bëhet më i qëndrueshëm.

Duke lëshuar një thumbim ndaj evropianëve, të cilët këmbëngulin mbi një politikë strikte afatgjatë buxhetore, organizata me seli në Uashington tha se objektivat aktualë të suficitit buxhetor për vitet në vijim do të pengojnë rritjen ekonomike dhe do të rezultojnë tepër të vështira për t’u arritur.

Raporti bën të ditur se perspektiva greke e rritjes ekonomike mbetet e dobët, kërkon shkurtime të thella të pensioneve “të papërballueshme” që u jepen pensionistëve aktualë, si dhe një rishikim të politikës fiskale, përfshi këtu norma të përgjithshme më të ulëta, duke eliminuar përjashtimet e të pasurve dhe shtimin e efiçencës në luftën kundër evazionit fiskal.

Ekonomia e Greqisë është nën mbikëqyrje të rreptë nga të gjithë huadhënësit e huaj të saj, përfshi këtu vet FMN-në, Bashkimin Evropian dhe BQE-në.

Qeveria e drejtuar nga të majtët e “Syriza”-s është në negociata me inspektorët e huadhënësve për rrjedhën e reformave të kërkuara, kompletimi i të cilave do të lejojë edhe disbursimin e 2.8 miliardë eurove, këstit të radhës së ndihmës. Mbrëmjen e së premtes, “Syriza” dorëzoi në Parlament – për t’u miratuar javën e ardhshme, – një sërë reformash të kësaj natyre. Këtu përfshihet riorganizimi i tregut të energjisë dhe transferimi i fondeve të shtetëzimit të dy kompanive të ujit në dy qytetet më të mëdha greke, të metrosë së Athinës dhe tri entiteteve të tjera publike.

Ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos tha se e mirëpret mbikëqyrjen e FMN-së ndaj borxhit dhe suficitit, por këmbëngul se Greqia e ka kaluar tashmë bllokun e kërkuar të reformave të pensioneve dhe taksave, duke përjashtuar efektivisht shkurtime të mëtejshme të pensioneve.