Flet pronari i hotelit në Gjakovë për të cilin u ankua ministrja e Shqipërisë

Flet pronari i hotelit në Gjakovë për të cilin u ankua ministrja e Shqipërisë

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Marina Karabina, dhe ekipi i saj u ndanë të pakënaqur me kushtet dhe me pritjen që iu bë në Kosovë.

Ankesat e tyre ishin kryesisht për hotelin ku qëndruan – “Pashtriku” në Gjakovë.

Karabina, nëpërmjet një letre, ankesat e saj rreth akomodimit i dërgoi në adresë të nikoqirit, që në këtë rast është dikasteri që udhëhiqet nga Arsim Bajrami.

Ministria e Arsimit në Kosovë nuk është deklaruar rreth kësaj çështje, ndërsa asistentja e ministres së Shqipërisë i ka thënë Klan Kosovës se Karabina ka pasur ankesa rreth akomodimit.

Pronarët e hotelit thonë se ankesa nuk pati nga asnjë prej më shumë se 150 mysafirëve që ishin pjesë e këtij seminari.

“Sa kanë qenë, kurrgjë. Prej juve po dëgjojmë që ka pasur ankesa”, ka thënë njëri nga pronarët e hotelit.

E sa për dhomën ku kishte qëndruar ministrja shqiptare, ai thotë se nuk ishin të informuar paraprakisht nga organizatorët e seminarit që Ministren ta akomodojnë në bazë të pozitës përfaqësuese që ajo kishte.