Flet ish-ministri që po akuzohet për ngacmim seksual të së miturës në Pejë

Flet ish-ministri që po akuzohet për ngacmim seksual të së miturës në Pejë

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zv/ministri në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq është duke u akuzuar se ka sulmuar seksualisht një 17-vjeçare në afërsi të fshatit Vitomiricë të Pejë. Përderisa Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për Insajderin, Baliq ka hedhur poshtë akuzat për ngacmim seksual, raporton Insajderi.

Baliq në një deklarim për Insajderin gjatë ditës së sotme ka mohuar akuzat e të miturës dhe prindërve të saj.

Ka thënë se ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës për këtë rast, por që sipas tij e gjithë kjo po bëhet të njolloset emri i tij.

“E vërteta është se kjo është shpifje. Unë kam dhënë deklaratë në polici dhe nuk kanë gjetur asnjë provë dhe domethënë nuk kanë gjetur asgjë, por janë disa që po e shtyjnë këtë aferë dhe deri më tani jo vetëm që nuk është gjetur por as nuk ekzistojnë”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht akuzave të prindërve të 17-vjeçares, Baliq thotë se nuk ka ndodhur asgjë. Thotë se nuk ka askush prova të ketë ngacmuar seksualisht të miturën.

“Është fjala për një ngjarje që ka ndodhur para një muaji, në fakt nuk ka ndodhur asgjë, por është se para një javë unë kam dhënë deklaratën në polici dhe nuk ka asgjë të vërtetë”.

“Ata [prindërit e së miturës] mua më akuzojnë, por janë disa njerëz një grup që punojnë qëllimisht me e njollos figurën e Numan Baliqit, por në fakt nuk ekziston asnjë provë, asnjë dhunim, asnjë tentim, asnjë kërcënim vetëm fjalë të përditshme”, ka deklaruar Baliq për Insajderin.

Baliq pranon se ka marrë pjesë në aktivitetin për të cilin dyshohet të ketë ndodhur ngacmimi, por insiston se e vërteta është se nuk ka ndodhur asgjë.

“Jo more çfarë aktiviteti unë kam marrë pjesë si shumë persona që kanë marrë pjesë. Domethënë ajo vajza ka ardhur [ka marrë pjesë në aktivitet] para këtij rasti dhe pas këtij rasti nuk ka pasur asgjë, kjo është e vërteta”, ka deklaruar ish-ministri i shëndetësisë.

Por version më ndryshe se Baliq ka Policia e Kosovës. Driton Rugova, zyrtar për informim, ka konfirmuar rastin për Insajderin se e mitura ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës dhe për këtë i dyshuari është vetë dorëzuar. Sipas tij prokurori i rastit e ka konsideruar si ngacmim seksual.

“Më 4 shtator të këtij muaji është raportuar në polici për një rast i cili sipas prokurorit është vlerësuar si sulm seksual. Viktima e mitur ka deklaruar në polici se dy apo tri javë para 4 shtatorit është sulmuar seksualisht nga një qytetar i Republikës së Kosovës dhe i njëjti është vetë dorëzuar në polici dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Rugova.

Numan Baliq ka qenë ministër i Shëndetësisë në vitin 2003, por më pas ishte shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm Bajram Rexhepi. Ai, në vitin 2007 deri në vitin 2010, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Numan Baliq u bë zëvendësministër i Ministrisë së Administratës Publike, por edhe nga ky post ishte shkarkuar në janar të këtij viti./Insajderi.com