Fjalimi i parë i Hashim Thaçit: Kundër rrugës pacifiste të imponuar nga Evropa

Fjalimi i parë i Hashim Thaçit: Kundër rrugës pacifiste të imponuar nga Evropa

Fjalimi i fundit i Hashim Thaçit është ai në cilësinë e presidentit në Kuvendin e Kosovës. Para se të ngjitej në foltore, Thaçi i dhuroj lulet që i mori si president, deputetes Teuta Rugova, nga LDK, partia të cilën e drejtoj babai i saj, Ibrahim Rugova,  për më shumë se dy dekada, duke u njohur për luftën e tij pacifiste.

Ky gjest u pa edhe si nderim që Thaçi po i bënte së bijës së presidentit historik Ibrahim Rugova por edhe u përdor si përçmim i politikave dhe idealeve që kishte Rugova.

E pikërisht këto ideale i kishin ndarë Hashim Thaçin lider i luftës dhe Ibrahim Rugova lider i pacifizmit, ani pse kur Rugova vdiq, Thaçi u bë i afërt me frymën rugoviane në politikë dhe lidhi kontratë bashkëqeverisjeje në dy mandate me partinë që ai e la në duart e Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës.

Kundërshtimin e tij ndaj politikës pacifiste, Hashim Thaçi e kishte potencuar me ton të lart edhe në fjalimin e tij të parë, një pjesë fare e vogël e së cilës është publikuar në një promo të emisionit “Zona Express” që do të transmetohet sonte në Klan Kosova.

Aty Thaçi thotë : “Të gjithë do të përgjigjemi para historisë për këtë luftë pacifiste të imponuar nga Evropa”.

Thaçi në këtë dokumentar është 24 vjeç dhe flet në një varrim në Likoshan të Drenicës dhe sipas datës së xhirimeve shihet se është muaji Maj i vitit 1992.

Deklaratat e Thaçit kundër rrugës apo politikës pacifiste të Rugovës do të ashpërsoheshin edhe më me ngritjen e tij fillimisht si lider politik i UÇK-së e më pas lider i partisë PDK.

Deri në zgjedhjen e tij president, Thaçi ka ndryshuar rrjedhshëm qasjen dhe deklaratat ndaj politikës së Rugovës për tu bërë tashmë një nga vlerësuesit më të mëdhenj të kësaj politike apo rruge pacifiste.