Fjalët e Montellës për Kalinicin

16.08.2017 21:54
Fjalët e Montellës për Kalinicin

“Mund ta fitojmë Champions League edhe përpara se të kalojnë katër vite. Por, ta nisim duke fituar kualifikimin e më pas të sfidojmë të tjerët”.

Trajneri i Milan, Vincenzo Montella i përgjigjet mbrojtësit dhe kapitenit të ri kuqezi, Leonardo Bonuçi, që në ditët e kaluara kishte folur në lidhje me objektivin për të fituar Champions League në katër vitet e ardhshme. Ndërkohë, kreu i pankinës kuqezi uron të rikuperojë sa më parë Biglia dhe Romagnoli, të dy të dëmtuar.

“Më vjen keq që nuk i kam ende në dispozicion. Me Romagnoli do të kemi mundësinë të luajmë me tre në mbrojtje, sepse është sallaksi i vetëm në skuadër dhe mund të na ndihmojë për të realizuar një manovër të rrjedhshme”.

Montella pranon se Kalinic është një futbollist i dëshiruar, një futbollist funksional për sistemin e lojës së Milan, një sulmues altruist, por nuk çekuilibrohet në realizimin e transferimit. “Mbase nuk është një bomber i madh, por ka shënuar edhe 20 gola në sezon”, deklaroi Montella mbi Kalinic, ndërkohë që përshëndet Bacca, i cili ka kaluar testet fizike te Villarreal

“Shkon në huazim, mbase do të rishihemi. Ka dhënë një kontribut të madh për kualifikimin në Europa League, të gjithë pritnim më shumë, madje edhe ai vetë i pari. Mbase kam përgjegjësi për faktin që mund të mos t’ja kem dalë që ai të japë maksimumin, por ai ka mbajtur gjithmonë një sjellje shumë korrekte”.

Ndërsa në lidhje me sulmuesin portugez, Andre Silva, trajneri Montella i ka idetë e qarta: “Ka dhunti të rëndësishme, ka vetëm nevojë për kohë, që të ambientohet me kampionatin italian. Nesër dua ta aktivizoj, ka nevojë që të mësohet dhe ambientohet me San Siro”.