Fituesi i tenderit për Kalanë e Vushtrrisë është i dënuar për vrasje

Fituesi i tenderit për Kalanë e Vushtrrisë është i dënuar për vrasje

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës ia ka dhënë në shfrytëzim pesëvjeçar një pjesë të Kalasë e vjetër të Vushtrrisë, Mentor Salihut, i cili është daja i kryetarit të komunës, Bajram Mulaku.

Salihu, që sipas këtij vendimi mund ta përdorë si restorant një pjesë të kalasë, është i dënuar me burg për vrasje në bashkëkryerje. Ish-Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, e pati dënuar atë me dhjetë vjet e tre muaj, për vrasjen e Nexhat Mehollit gjatë dhjetorit të vitit 2005. Bashkë me të ka qenë i dënuar edhe vëllau i tij, Jeton Salihu, shkruan Insajderi.

Me këtë vendim e qarkut nuk ishin pajtuar të dënuarit, të cilët kishin bërë ankesa.

Por në gusht të vitit 2012 Gjykata Kushtetuese, kishte bërë vlerësimin e aktgjykimit të gjykatës së qarkut duke i hedhur poshtë të gjitha pretendimet e të dënuarve se ishin bërë shkelje gjatë marrjes së vendimit.

“Me 1 nëntor 2007 Gjykata e Qarkut në Mitrovicë gjeti parashtruesin fajtor për vrasje dhe fajtor për sulm. Gjykata dënoi parashtruesin Mentor Salihu me dënim të përgjithshëm prej dhjetë vjetësh e tre muajsh. Gjykata dënoi parashtruesin Jeton Salihu me një burgim të rëndë prej tetë vjetësh dhe dy muajsh. Babai i tyre gjithashtu ishte paraburgosur të njëjtën ditë për sulm”, thuhet në këtë vendim të Kushtetueses.

“Gjykata pas seancës së këshillimeve me 19 qershor 2012, njëzëri vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranuar”, theksohet në këtë vendim.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe një grup i qytetarëve të Vushtrrisë, që kanë dal në mbrojte të “kalasë”. Në njoftimin e tyre bëhet thirrje për protestë ndaj vendimit për dhënie në shfrytëzim të kalasë për restorant.

“Pra Kalaja jonë i është dhënë me leje të shtetit një krimineli të dënuar. Nëse ky asokohe ka qenë në gjendje të dëmtojë një qenie njerëzore, çka mund të presim se mund të bëjë me Kalanë e qytetit tonë?”

“Të dashur qytetarë e bashkëvendës, ju bëjmë thirrje të na bashkoheni në kundërshtimin e kësaj çmendurie, thirrjen për anulim të kontratës mes tij dhe shtetit në dëmtim të trashëgimisë sonë publike, duke shfrytëzu Kalanë për restorant, si dhe thirrjes në mbrojtje të Kalasë respektivisht të kaluarës dhe të ardhmes sonë!”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com