Fitorja e Gani Dreshajt e dobëson AAK-në

Fitorja e Gani Dreshajt e dobëson AAK-në

Rezultatet preliminare të KQZ-së për rivotim në Istog për kryetar të komunës, kanë nxjerrë fitues kandidatin e AAK-së, Gani Dreshaj, i cili ishte në garë me kandidatin e LDK-së, Haki Rugova.

Ndonëse me një diferencë të vogël, megjithatë, Dreshaj është në epërsi.

Gani Dreshaj aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së. Fitorja e tij në Istog do ta detyrojë atë ta lë postin e deputetit.

Në vend të tij do të vijë Rafet Rama i cili është nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo ndodh për shkak se Dreshajn e zëvendëson kandidati për deputet i cili është në radhë me më së shumti vota.

Pse Dreshaj nuk zëvendësohet me një deputet të AAK-së? Ligji për Zgjedhjet koalicionet i njeh si një parti të vetme dhe kandidatët që kanë qenë në listë nga partitë e koalicionit, ato llogariten po ashtu si listë e përbashkët.

Pas Dreshajt në listë me më së shumti vota është ish-kandidati për deputet, Rafet Rama.

Në këtë drejtim, AAK-ja e fitoi Istogu (në bazë të rezultateve preliminare), por e humbi fuqinë në nivel qendror, e cila do ta ketë një deputet më pak.

Megjithatë, meqë AAK-ja është në koalicion me PDK-në dhe Nismën, lëvizjet e deputetëve brenda tyre nuk nxjerrë ndonjë rrezik të madh.

Por, kur kemi parasysh se AAK-ja dhe PDK-ja kanë dallime sa i përket temve të mëdha, siç është Demarkacioni, atëherë, një deputet më shumë apo më pak ka peshë të madhe.

Për më tepër, Rafet Rama i cili do ta zëvendësojë Gani Dreshajn, në shkurt të vitit 2016 ishte kundërkandidat i Hashim Thaçit për t’u zgjedhë president i vendit.

Ky kandidim ishte sa për ta përmbushur kuotën sepse vetë Rama kishte deklaruar se vota e tij do të shkojë për Hashim Thaçin.

Diçka e ngjashme me lëvizjen e deputetëve kishte ndodhur edhe me AKR-në, gjatë formimit të Qeverisë. AKR ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-së dhe Alternativën.

Kur kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, vendosi t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve dhe t’i bashkohej koalicionit PDK-AAK-Nisma, ai kërkonte hise në Qeveri.

Ai mori disa pozita aty – përveç si zëvendëskryeministër, ai u bë edhe ministër i Punëve të Jashtme. Kjo bëri që ai të heqë dorë nga mandati i deputetit.

Largimi i tij nga Kuvendi i Kosovës ia mundësoi ardhjen deputetit të LDK-së, Imet Rrahmani. Rrjedhimisht, AKR-ja dhe Qeveria në përgjithësi humbën një deputet, kurse LDK-ja dhe opozita u forcua me një deputet./Insajderi.com