Fiona, një tjetër shpresë e Kosovës për Lojëra Dimërore

05.11.2017 09:31
Fiona, një tjetër shpresë e Kosovës për Lojëra Dimërore

Fiona Blaka-Rusta pesë vjet më parë ishte frikësuar se karriera e saj do të përfundonte pa nisur mirë. Kishte lënduar rëndë unazat e shpinës gjatë një gare të FIS-it në disiplinën lëshim.

Por, ajo nuk ishte dorëzuar, ashtu siç edhe sot nuk po dorëzohet në rrugë për të arritur normën për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” që mbahen gjatë muajit shkurt në Kore të Jugut, shkruan Koha Ditore.

E për të arritur normë olimpike, skiatores 21-vjeçare të lindur në Norvegji i duhen pikët e nevojshme. Ato duhet t’i arrijë brenda tre muajve. Ka pak kohë, por shpresa është e madhe.

Ajo ka besim se të paktën dy norma do t’ia sigurojë Kosovës.

“Lëndimi ka qenë i rëndë, por fatmirësisht e kam tejkaluar. Kam lënduar shpinën. Më ka shkuar në mendje edhe për fundin e karrierës. Por, unë falë edhe mbështetjes së prindërve nuk jam dorëzuar dhe ia kam dalë të kthehem. Kam vazhduar të punoja maksimalisht për t’u kthyer”, tregon skiatorja Rusta-Blaka.