BE financon 1 milion euro për luftimin e trafikimit me njerëz

BE financon 1 milion euro për luftimin e trafikimit me njerëz

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka organizuar konferencën me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të punojmë më shumë për të parandaluar dhe luftuar trafikimin me qenie njerëzore. Ai shtoi se duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi.

“Sa i përket Kosovës, parandalimi i këtij lloj krimi specifik duhet të ndodh me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni ynë në fuqi. Duhet t’i identifikojmë dhe ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Kapaciteti ynë veprues dhe ekspertiza jonë duhet të avancohen në përputhje me kapacitetin që janë bartës të këtij krimi”, është shprehur Haradinaj.

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tregoi për një projekt i cili është duke u implementuar që nga fillimi i këtij viti dhe si i tillë është duke u munduar që të ndihmojë Kosovën në trajtimin e duhur të kësaj çështje.

Ajo tha se për luftimin e këtij krimi BE ka dhënë 1 milion euro, raporton EO.

“Trafikimi  me njerëz është shkelje fondamentale e të drejtave të njeriu. Parandalimi dhe luftimi i trafikimit me njerëz është top prioriteti i BE-së. BE gjithashtu dëshiron të ndihmojë Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz duke ndarë përvojat. Që nga fillimi i këtij viti BE po financon një projekt për këtë çështje në vlerë prej afro 1 milion eurosh. Nuk duhet të harrojmë se luftimi i trafikimit me njerëz duhet të jetë i përbashkët”, tha ajo.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se institucionet në Kosovë nuk do të lejojnë në përhapjen e kësaj dukurie.

“Trafikimi është një çështje komplekse duhet të merremi të gjithë nuk duhet të lejojmë përhapjen e saj duhet të luftojmë dhe ta parandalojmë”.

Gjatë ditës në shënim të kësaj ditë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, (MAShT), Shyqiri Bytyqi do të marrë pjesë në hapjen e fushatës së Muajit Antitrafikim.

Ceremonia e fillimit të fushatës në shkolla mbahet në ambientet e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Muaji Antitrafikim shënohet për çdo vit në Kosovë, ndërsa këtë vit fillon në Ditën Ndërkombëtare të BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, pra më 18 tetor dhe zgjatë deri më 18 nëntor 2017.