Filmi “Teuta nuk jeton më këtu” rrezikon të mbetet film turk

Filmi “Teuta nuk jeton më këtu” rrezikon të mbetet film turk

Filmi “Teuta nuk jeton më këtu” i cili momentalisht është prodhim turk, ka kushtuar 950 mijë euro, dhe për të qenë kooproduksion me shtetin e Kosovës producentët nga Turqia kanë kërkuar vetëm 10 për qind të shumës totale.

Thirrjes publike të Enver Petrovcit për ti dalë në ndihmë këtij filmi që të mos mbetet turk, qytetarët i janë përgjigjur vetëm me 146 euro.

Skenarin e këtij filmi e ka shkruar aktori kosovar Enver Petrovci, e mbështetje financiare për këtë film ai nuk ka gjetur as nga institucionet kulturore në vend e as nga qytetarët e Kosovës.

Para ca muajsh aktori Enver Petrovci, pati publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku kërkonte ndihmën e qytetarëve të Kosovës që ky film të mos mbetet film turk. Kjo kërkesë u bë përmes Postës dhe Valës së Kosovës, por shkoi në vesh të shurdhër.

“Vetëm 146 euro janë mbledhur dhe këto para do ua kthej të gjithë atyre që kanë kontribuar. Vala më ka thënë që është e mundur t’ua kthej përmes impulseve. Nuk e di ende se çfarë do të bëhet me film, unë do të tentoj përsëri, sepse i kam thënë regjisorit që mos ta shfaqë premierën”, tha Enver Petrovci për KultPlus.

Ky film me regji të Murat Vala Derman ka kushtuar gjithsej 950 mijë euro, ndërsa nga skenaristi Enver Petrovci janë kërkuar vetëm 100 mijë euro, që i bie vetëm 10% e investimit që kërkon ky film.

Filmi “Teuta nuk jeton më këtu” u kushtohet 20 mijë grave të përdhunuara në luftën e fundit në Kosovë dhe pasojave në familjen e tyre.

Në film kanë marrë pjesë këta aktorë kosovarë: Lumnije Muçaj, Enver Petrovci, Xhejlane Tërbunja, Agron Shala, Labinot Lajçi, Selman Lokaj, sikurse janë përfshirë edhe shumë statistë.