Filmi hollivudian me aktorin Val Maloku nuk do të shfaqet në DokuKino

24.03.2017 09:50
Filmi hollivudian me aktorin Val Maloku nuk do të shfaqet në DokuKino

Para disa javësh, kinemaja DokuKino në Prizren pati njoftuar se në repertorin e tyre do ta shfaqin edhe filmin “The Zookeeper’s Wife” me regji të Niki Caro, ku në mesin e aktorëve performon edhe aktori kosovar Val Maloku.

Megjithatë, diçka e tillë nuk do të ndodhë dhe kosovarët e as ballkanasit nuk do të mund ta shohin filmin, jo në Prizren.

Për KultPlus, lajmin për mos shfaqjen e filmit në DokuKino e konfirmoi menaxherja e kësaj kinemaje, Zana Arapi Xheladini, e cila poashtu tha se filmi i cili sjellë në rolet kryesore Jessica Chastain dhe Daniel Bruhl, nuk do të shfaqet askund në Ballkan.

“Filmi nuk do të prezantohet në kinemanë DokuKino e në asnjë kinema të Ballkanit. Nuk e dimë arsyen, vetëm se distributori “Taramount Film” nga Beogradi e ka larguar nga lista sepse kanë pasur një problem të cilin nuk e dimë. Në fillim të vitit ka qenë në listë por tash nuk është”, Xheladini.

“The Zookeeper’s Wife”, flet për dy individë të cilët në një kopsht zoologjik në Varshavë shpëtojnë shumë jetëra njerëzish përgjatë invazionit nga nazistët. Filmi u shfaq premierë botërore më 7 mars në Poloni, aty ku i pranishëm në mesin e aktorëve më famë botërore ishte edhe Val Maloku./Insajderi.com