Fillon procesi i heqjes së nënshtetësive për 300 shqiptarë në Britani

Fillon procesi i heqjes së nënshtetësive për 300 shqiptarë në Britani

Në Britani të Madhe ka filluar procesi për heqjen e nënshtetësive për 300 shqiptarë, proces që vlerësohet se do të përfundojë vitin e ardhshëm, raporton albinfo.ch.

Kjo çështje ka kaluar testin e parë pasi Gjykata Supreme në Mbretërinë e Bashkuar ka miratuar lejen për të apeluar kundër vendimit të sekretares britanike të Shtetit për Punët e Brendshme, për heqjen e shtetësisë britanike, që është përfituar nëpërmjet mashtrimit.

Seanca e ardhshme do të zhvillohet nga fundi i vitit 2017, apo fillimi i vitit 2018 dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Supreme pritet të jepet nga pranvera e vitit të ardhshëm, bëjnë të ditur mediat shqiptare, shkruan Albinfo.

Të gjitha çështjet e tjera që janë në pritje në “Home Office”, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit do të vazhdojnë të jenë të pezulluara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme në lidhje me këtë rast.

“Home Office” ka ngritur një departament të veçantë, i cili ka si qëllim investigimin e azilkërkuesve shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë britanike përmes mashtrimit.

Vitin e shkuar, mediat britanike raportuan se dy shqiptarët Avni Metra dhe Saliman Barçi, që të dy nga Burreli, të dënuar për vrasje nga drejtësia shqiptare, kishin përfituan nënshtetësinë britanike përmes mashtrimit.