I akuzuari për vrasjen e civilëve shqiptarë deklarohet i pafajshëm

I akuzuari për vrasjen e civilëve shqiptarë deklarohet i pafajshëm

Zoran Vukotiq, ish-polic serb në Kosovë, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte, të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në hapje të seancës së parë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të hënën.

“Unë jam i pafajshëm”, ka thënë Vukotiq pasi prokurori i misionit të EULEX-it në Kosovë, Paul Flynn, lexoi padinë.

Prokuroria Speciale ka paditur Vukotiqin me tri akuza për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

Akuza e parë thotë që ai ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile mes fshatrave Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme, në maj të viti 1999, duke vrarë brutalisht banorët, duke i trajtuar në mënyrë jo njerëzore dhe shkaktuar vuajtje.

Viktimat e këtij krimi janë identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu Avdulla Fazliu, Fahredin Fazliu, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir Gerxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Adem (nuk dihet mbiemri), Haki Ademi, Shaip Gerxhaliu, Musa Gerxhaliu dhe një 14-vjeçar pa emër.

Akuza e dytë flet për trajtim jonjerëzor ndaj civilëve të Ndërtesës Agrikulturore dhe Kooperative të Vushtrisë.

Akuza e tretë thotë që, Vukotiq në rolin e policit në një stacion policor të Vushtrrisë, duke punuar si gardian, ka marrë pjesë në dënim dhe mbajtje jo-ligjore të një numri të madh të civilëve në burgun e Smerkovincës afër Mitrovicës. Edhe aty ai ka ushtruar trajtim jonjerëzor dhe torturë e rrahje ndaj civilëve.

Avokati i Vukotiqit, Nebojsa Vlajiq, ka thënë se mbrojtja do të përdorë të drejtën për të dorëzuar dosje që vërtetojnë të kundërtën.

“Brenda afatit të dhënë kohor prej 30 ditësh, mbrojtja mund të formojë këto dosje kundër padisë dhe do ta bëjë këtë në ditët e ardhshme”, ka thënë ai.

Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi për në Kosovë në nëntor të vitit 2016.

116 civilë shqiptarë kishin vdekur në natën e 2 majit të vitit 1999.

Forcat serbe kishin vrarë pleq, gra, fëmijë e burra të disa fshatrave të kësaj komune. Ata po strehoheshin në luginë për t’i ikur vdekjes. Por, vdekjen në mënyrën më të dhimbshme ua kishin sjellë forcat e Slobodan Milosheviqit.

Viktimat dhe civilët tjerë kishin zbritur në fshat për të gjetur ushqim. Atyre u kishin mbaruar të gjitha rezervat që kishin në malet ngjitur me Shalën e Bajgorës. Kërkimi i ushqimit për këto viktima ishte shndërruar në njërën prej masakrave më të llahtarshme që kishin kryer forcat serbe. /Insajderi.com