FFK-ja ftohet në seancën e jashtëzakonshme të UEFA-s dhe FIFA-s

24.02.2016 14:21

Federata e Futbollit të Kosovës do të jetë e pranishme në punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të UEFA-s dhe FIFA-s që do mbahet në datat 25 dhe 26 Shkurt.

FFK-ja ftohet në seancën e jashtëzakonshme të UEFA-s dhe FIFA-s

Presidenti i federatës, Fadil Vokrri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Erolld Salihu kanë marrë ftesa nga institucioni më i lartë i futbollit evropian dhe ai botëror edhe pse federata që përfaqësojnë nuk është njohur ende zyrtarisht nga këto dy instanca, raporton Insajderi.

Gjatë punimeve të jashtëzakonshme, çështja e Kosovës nuk është në agjendë dhe ndoshta FFK-ja do të presë muajin Maj për kongresin e radhës ku me shumë mundësi edhe çështja e anëtarësimit në dy organizmat do të diskutohet.

Aktualisht, FIFA ka në agjendën e saj zgjedhjet presidenciale pas pezullimit të Sepp Blatter, ndërsa problematika e pazgjidhur në UEFA pas shkarkimit të Michel Platini vazhdon të krijojë amulli në këtë institucion që vazhdon të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm, Gianni Infantino.