Festa e Vidovdanit, 160 serbë hyjnë në Kosovë

Festa e Vidovdanit, 160 serbë hyjnë në Kosovë
Burimi i fotografisë: Arkiv

Festa e Vidovdanit ka sjellë në Kosovë 160 serbë nga Serbia, të cilët si destinacion të parë e kanë Komunën e Graçanicës. Ata rreth mesditës do të ndalen edhe në Gazimestan të Obiliqit.

Policia e Kosovës është duke u ofruar siguri në qarkullimin e tyre. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësi i policisë, Barjam Krasniqi.

“Policia është duke zbatuar një Plan Operativ rreth kësaj feste. Kryesisht ka të bëjë me çështje të komunikacionit, por jo vetëm”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.

Janë diku 160 pjesëmarrës për të cilës po kujdeset policia.

“Deri në këto momente nuk raportohet për incidente. Numri i pjesëmarrësve nga shteti fqinjë është rreth 160 pjesëmarrës”, ka shtuar ai.

Për më tepër, Festa e Vidovdanit shpesh ka sjellë telashe për Policinë e Kosovës, për shkak se pjesëmarrës serbë në këtë festë kanë provokuar me veshje që mbanin mbishkrime nacionaliste për shqiptarët./Insajderi.com