Fermerët llapjanë ankohen për cilësinë e fidanëve në “Ditën e Mjedrës”

Një grup i fermerët llapjanë, kultivues të mjedrës, në manifestimin e ditës së saj në komunën e Podujevës janë të pakënaqur me cilësinë e fidanëve që blenë vitin e kaluar nga kompania “Agroproduct Commerc”. Thonë se një numër i madh i tyre u kanë dështuar, për këtë kërkojnë kompensim nga kjo kompani.

Fermerët llapjanë ankohen për cilësinë e fidanëve në “Ditën e Mjedrës”

Habib Mekolli, fermeri nga Podujeva vjeshtën e vitit të kaluar kishte mbjellë 4 mijë fidane të mjedrës, në tokën e tij në fshatin Shajkofc.

Tash një vit pas Mekolli tha se më shumë se 1300 fidane i kanë dështuar, kurse nga pjesa tjetër e të mbjellave nuk ka mund të marrë as gjysmën e frutave të mjedrës.

Për këtë Mekolli fajëson kompaninë “Agroproduct Commerc-APC” nga Podujeva prej së cilës i bleu fidanet, duke thënë se ka  paguar për fidane më të mira “por ato me dolën jo cilësore”.

Mekolli është në mesin e 40 fermerëve të tjera nga Podujeva që është përballur me problemin e njëjtë.

Insajderi ka kontaktuar me Avni Shabanin drejtorin e kompanisë “APC”, i cili thotë se fidanët i ka shitur pas marrjes së certifikatave nga dogana dhe Agjencia e Ushqimit dhe se ato kanë qenë në rregull.

“Ne jemi përfaqësues të një kompanie angleze nga e cila furnizohemi me material fidanor. Me shitjen  e fidanëve gjithçka ka shkuar në bazë të rregullave dhe kontrolleve nga institucionet kompetente në Kosovë. Pas marrjes së rezultateve të  analizave dhe dokumenteve ne kemi pasur dritën e gjelbërt për shpërndarjen e fidanëve”, tha Shabani.

Shabani deklaron se ka dal në terren pas ankesave të fermerëve dhe ka bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, për të cilin ka bërë një raport dhe e ka dorëzuar tek kompania angleze.

Thotë se edhe ai ka marrë premtimin nga kjo kompani për kompensimin e fidanëve, por sipas tij fermerët po nguten për të përfituar më shumë.

”Ne presim gjatë vjeshtës që kompania të dërgoj kompensimin, mirëpo disa fermer janë pak të ngutshëm dhe po kërkojmë diçka ma tepër prej meje që nuk është në dorën teme, por po munohem sa ma shpejt me i kompenzu”, tha Shabani.

Fermerët kërkojnë kompensim përmes rrugëve ligjore

Grupi i fermerëve llapjanë i është drejtuar edhe institucioneve kompetente për të kërkuar kompensim për dëmet që ju shkaktuan.

Madje ata paralajmëruan edhe protestë gjatë manifestimit “Dita e Mjedrës” që sot organizohet në komunën e Podujevës, por u tërhoqën nga ky organizim pas takimit të së mërkurës me Drejtorin e Bujqësisë në këtë komunë, nga i cili thanë se morën premtimin për kompensim.

“Në takimin që kemi pasur me Drejtorin e Bujqësisë morëm premtime që do të futemi në listën prioritare për kompensim, prandaj vendosëm të mos dalim sot në protestë por gjithsesi do të marrim pjesë në aktivitetin e ditës së mjedrës”, tha Mekolli.

Avni Fetahu drejtor i Bujqësisë në Podujevë, tha për Insajderin se ankesën e grupit të  fermerëve e ka pranuar me datën 23 shtator,  por se ka kërkuar nga ta që të mos protestojnë ditën e mjedrës me arsyetimin se ajo “është ditë e fermerëve dhe promovimit të mjedrës dhe suksesit të saj në Komunën tone” .

Fetahu tha se do e trajtoj kërkesën e tyre në aspektin buxhetor dhe ligjor, dhe për këtë do t’u kthejë përgjigje atyre sa më shpejt .

“Ne ju kemi dhënë përkrahje dhe kemi diskutuar tri herë radhazi me përfaqësuesit e fermerëve, por edhe me fermerë individualisht dhe ju kemi thënë që ta ndjekin rrugën ligjore për kompensim të dëmit. Ju kemi thënë se do ta kenë vazhdimisht përkrahjen e Komunës”, tha Fetahu.

Ata madje kanë bërë kërkesë edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për inspektimin e të mbjellave të tyre, pasi duan të dinë cilësinë e fidanëve që u janë shitur nga kompania “APC”.

Lamir Thaçi zëdhënës i këtij Agjencioni tha për Insajderin se pasi e kanë pranuar kërkesën e fermerëve për verifikimin e gjendjes së mjedrave, është vendosur që inspektorët e saj të dalin në terren ditën e premte.

“Në këtë rast sipas planit qe kemi bërë kemi paraparë qe të  dalim të Premten (30.09.2016) ne teren për të kryer hulumtimet fitosanitare dhe do të marren mostra për t`i dërguar në analiza laboratorike”, tha Thaçi. /Insajderi.com