Ferid Agani propozoi te BE-ja planin e Rugovës për kishën ortodokse

20.09.2016 23:48
Ferid Agani propozoi te BE-ja planin e Rugovës për kishën ortodokse

Një natë para se në media të publikohet një fragment nga libri i Adnan Merovcit, në të cilin citohet presidenti historik Ibrahim Rugova, teksa flet për objektin e kishës në kampusin universitar, ish-ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ka treguar se të njejtën ide ia ka prezantuar BE-së në Kosovë.

Sipas librit të bashkëpunëtorit të Rugovës, Adnan Merovci, “Një hap me Rugovën”, Rugova kur ishte pyetur nga një gazetar për këtë kishë citohet të ketë thënë se ka një plan.

Plani i Rugovës, pasi te çlirohej vendi dhe ai të ishte në pushtet sipas Merovcit, ishte që të ndërtohet një katedrale dhe një xhami të madhe në afërsi të saj.

“Tani për tani nuk kemi mundësi për ta ndaluar ndërtimin e saj. Një ditë kur do të jemi në pushtet, atëherë do të ndërtojmë një katedrale dhe një xhami të madhe në afërsi të saj” citohet të ketë thënë Rugova, në librin e Merovcit.

liobri

E plani i ish-ministrit të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, Agani, për këtë objekt është i njejtë.

Agani në emisionin “Interaktiv” të së hënës ka thënë se në kohën sa ka qenë duke kryer funksionin e ministrit, i kishte dhënë një propozim ish-shefit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të zgjidhur problemin e kishës brenda kampusit universitar të UP-së, duke propozuar ndërtimin e një xhamie që bashkë me katedralen dhe kishën ortodokse do të krijonin tolerancën fetare në Kosovë.

Diçka që Rugova nuk citohet ta ketë përmendur e që dallon nga ideja e Aganit është fakti se ish-ministri propozonte që të hiqej kampusi universitare.

kisha

“Komisioni Evropian do të investonte për ndërtimin e një kampusi të ri universitar, ku do të zhvendosej Kampusi Universitar e ku do të kishte kushte akoma më të mira për studentët. Ndërsa hapësira aktuale të kishte një zgjidhje arkitektonike, që do të promovonte paqen dhe tolerancën”, ka thënë Agani.

Sipas tij, jo vetëm që do të funksionalizohej kisha, por do të duhej ndërtuar edhe xhamia e madhe, për të cilën Komuna e Prishtinës më parë kishte dhënë leje që të ndërtohet te Posta, në lagjen Ulpiana. Do të ndërlidhej edhe me katedralen “Nënë Tereza” e cila është ndërtuar pas luftës jo fort larg kampusit universitar./Insajderi.com