Federer mposht Sock, e nis me fitore turneun e 8 më të mirëve

Roger Federer e fillon me fitore aventurën e tij në turneun përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit, që startoi të dielën pasdite në kryeqytetin britanik, teksa mundi në vetëm dy sete tenistin nga Shtetet e Bashkuara Jack Sock.

Veterani zviceran që e ka fituar 6 herë turneun ATP World Tour Finals, më shumë se çdo tenist tjetër në historinë e gjithë këtij aktiviteti, hoqi dorë enkas nga Mastersi i Parisit për të shmangur problemet në shpinë, e njëkohësisht për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë, për një turne të tillë, që përbën gjithashtu edhe objektivin kryesor në këtë pjesë të fundit të sezonit.

Pas mungesës së detyrueshme të vitit të kaluar, Roger Federer u rikthye plot vrull në O2 Arena, duke mundur pastër 25-vjecarin nga Nebraska, në një takim që zgjati diçka më tepër se një orë e gjysmë lojë.

Tenisti amerikan e siguroi pjesëmarrjen në Londër në mënyrë fenomenale, pikërisht të dielën e kaluar, teksa la prapa në klasifikim spanjollin Pablo Carreno Busta, pas suksesit të parë në karrierë në një turne Masters, gjë që i mundësoi gjithashtu edhe ngjitjen mes dhjetë tenistëve më të mirë të botës.

Për numrin 2 të botës që fitoi 90% të pikëve në shërbimin e parë dhe e përfundoi duelin me 28 goditje fituese dhe 20 gabime kjo ishte fitorja e 50 sezonale, sezon ku Roger Federer ka fituar plot 7 turne, duke regjistruar njëkohësisht vetëm katër humbje gjithsej.