Federbet s’ndalet, akuza sërish për Kukësin

Federbet s’ndalet, akuza sërish për Kukësin

Episodi më i freskët i sagës mes Federbet dhe Kukësit ka si objekt miqësoren e fundit të kampionëve të Shqipërisë, që të martën u mposhtën 6-0 në testin me një rival të nivelit të lartë si Dinamo e Moskës.

Edhe miqësorja e katërt në tokën austriake, nuk i ka shpëtuar sinjalizimit të Federbet, me sa duket nuk ka mjaftuar komunikimi zyrtar i pak ditëve më parë mes Kukësit dhe Uefa-s ku klubi shqiptar duke akuzuar për shpifje të qëllimshme nga ana e Federbet shprehej i gatshëm për një hetim të Uefa-s apo edhe që takimet e tij të mos kuotoheshin fare në kompanitë e basteve.

Nuk ka mjaftuar madje as inisiativa e Kukësit për t’u përballur në rrugë ligjore duke kërkuar një dëmshpërblim deri në 30 milionë Euro për prishje të imazhit pasi edhe pas miqësores me Dinamon e Moskës, Federbet sërish ka akuzuar Kukësin, tanimë duke i zbutur tonet pasi nuk akuzon në mënyrë esplicite për një ndeshje të trukuar, por flet për një ndeshje të dyshimtë ku ka patur luhatje jo normale të fluksit të basteve, ndërsa këtë herë e nis komunikatën me një lloj shfajësimi në lidhje me akuzat e bëra ditë më parë nga klubi kuksian ndërsa shkruan:

Sërish, asgjë personale.

Të ndëruar miq, ne ju respektojmë të gjithë dhe kurrë nuk postojmë lajme për të fyer tifozët apo skuadrat e tyre të preferuara.

Në Federbet ne nuk i ndajmë skuadrat nga shtetet, kampionate apo ndonjë mënyrë tjetër. ne thjesht vëzhgojmë lëvizjet e kuotave ekstremisht të dyshimta në gjithë botën e sportit. Ne kemi pyetur shumë herë për një ndeshje apo një tjetër: Ishte e trukuar apo jo? Ne reagojmë duke kontrolluar gjithë sugjerimet.

Natyrisht bota e sportit është plot rezultate të papritura e ndjesi, por nuk është ky treguesi i një ndeshje të fiksuar për cështje bastesh”. Ne kontrollojmë kuotat dhe treguesi ynë janë lëvizjet e cuditshme të tyre.

Ne dëshirojmë të përsërisim se ne nuk kemi antipati personale për futbollin shqiptar në përgjithësi, apo për klubin e Kukësit në vecanti, por ne duhet të themi që dje kapët të tjera lëvizje të mëdha fluksesh në ndeshjen e tyre.

Jemi duke folur për ndeshjen Dinamo e Moskës – Kukësi 6-0, dhe flukse të mëdha bastesh për një numër të madh golash që do të shënoheshin. Dikush me të vërtet e priste golin e 5-të dhe të 6-të në këtë ndeshje.

Federbet jep dhe linkun në Youtube ku mund të shihet ndeshje në fjalë ndërsa e mbyll komunikatën duke përsëritur: Ne thjesht vëzhgojmë flukset, të fajësosh Federbetin është shumë më e lehtë se sa të kuptosh problemin.

Gjithsesi vlen për t’u përmendur se reagimet e Kukësit e kanë patur një ndikim, pasi këtë herë Federbet nuk ka marrë përsipër të flasë në mënyrë eksplicite për ndeshje të trukuar, por shpjegon disa herë se në fokusin e kompanisë janë thjesht vëzhgimet e flukseve të pazakonta të basteve. Beteja Federbet-Kukësi është e destinuar të vazhdojë!.(supersport)