Fazliu: Vazhdojmë të funksionojmë në qeveri (Video)

Fazliu: Vazhdojmë të funksionojmë në qeveri (Video)

Në 100 ditët e qeverisjes së re pjesë e problemeve të theksuara gjatë kësaj periudhe ishin jo stabiliteti financiar në komuna dhe varësia e pushtetit lokal nga ai qendror. Se pse jemi në këtë gjendje në shumicën e komunave të Maqedonisë dhe se si mund të tejkalohet kjo situatë, ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu sqaron për REL se është formuar një grup punues dhe është duke analizuar këtë çështje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Një nga arsye është puna jo e kryer mirë, kurse tjetra është ndarja e mjeteve në mënyrë jo të barabartë nga pushteti qendror. Ne tani jemi në fazë të analizës. Është formuar një grup punues nga të gjitha ministritë që duhet të analizojë mënyrën dhe metodologjinë e ndarjes së granteve dhe granteve kapitale. Kur te shohim se ku qëndron arsyeja, atëherë do të gjejmë zgjidhje në bazë të analizave”, tha Fazliu.

Sa i përket asaj se si funksionon koalicioni qeverisës, tani pas bashkimit të Aleancës për Shqiptarët me Lëvizjen Besa, Fazliu sqaron se “ ne si parti politike që bëmë koalicion për të formuar qeverinë e re, treguam se koncepti i kësaj politike fitoi në Maqedoni kundër politikës nacionaliste dhe qytetarët pranuan këtë politike edhe në zgjedhjet lokale, ku më së shumti dhanë votën për të”.

“Unë vij nga partia politike RDK, kryetari i së cilës është Vesel Memedi. Ne ishim në koalicion me Zijadin Selën, por pas zgjedhjeve parlamentare Sela formonte subjekt të rij, gjegjësisht parti politike. Ai nga atëherë shfrytëzonte emrin e koalicionit si emër të partisë së re politike ‘Aleanca për Shqiptarët’ dhe në zgjedhje edhe pse garonte vetëm, përdori këtë emër. Ne garuam se bashku me partitë me të cilat kishim koalicion dhe vazhdojmë të funksionojmë në qeveri si një koalicion që do të duhet t’i vendos fund funksionimit jo serioz në institucione dhe keqpërdorimet që janë bërë deri më tani”, tha Fazliu.