Fatos Rizvanolli  dënohet me 7 vite burg për terrorizëm

Fatos Rizvanolli  dënohet me 7 vite burg për terrorizëm

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka shpallur fajtor biznesmenin Fatos Rizvanolli,  për veprën penale rekrutimi për terrorizëm, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vjetëve.

Sipas aktakuzës i pandehuri Rizvanolli me dashje me të pandehurit Z.Q, I.B etj, kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale terroriste dhe në aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojnë fonde dhe burime materiale.

“Në atë mënyrë që gjatë muajit korrik 2012 në veturën e tij ka transportuar një person deri në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siri për të luftuar. Në nëntor të po të njëjtit vit, përmes një agjencion turistik, ka paguar tre (3) bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay. Në shtator të vitit 2013 sipas kërkesës së të pandehurit I.B, ka mundësuar dërgimin e P.B – i vrarë në Siri dhe Sh.K, për të udhëtuar për në Siri në tetor 2013 bashkë me I.B, H.D dhe K.M të gjithë për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS-it dhe Al-Nustra”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas këtij njoftimi Rizvanolli është liruar nga akuza për veprën penale të kryer në vazhdim dhe në bashkëkryerje organizimi, përkrahja dhe pjesëmarrja në grupet terroriste.

Rizvanollit i vazhdohet paraburgim deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë.

Insajderi pati raportuar në muajin mars, se si biznesmeni Rizvanolli një pjesë të aktivitetit të dyshuar terrorist, e kishte zhvilluar në pronën e shtetit.