Farmacistja gjermane mbledh ndihma për Benetin e plagosur në sulmin e Munihut

Farmacistja gjermane mbledh ndihma për Benetin e plagosur në sulmin e Munihut

Birgit Lauterbach, pasi ka hapur një xhirollogari, u ka shkruar të njohurve dhe kolegëve të saj me kërkesën për t`iu bashkuar aksionit. Vetë Birgit do të dhurojë mbi 1000 euro, ka thënë ajo.

Njëri ndër të plagosurit rëndë në atentatin e Munihut që ndodhi më 22 korrik ka qenë edhe shqiptari 13 vjeçar nga Kosova Lindore,  Benet A. I goditur nga plumbat, ai ka marrë plagë të rënda dhe ka qëndruar në gjendje kome për disa ditë. Jeta i është shpëtuar falë një operacioni emergjent, shkruan “Münchener Abendzeitung”.

Ndërkohë, trajtimi mjekësor që i nevojitet atij kushton shumë dhe nuk mbulohet nga sigurimi. Për t`i dalë në ndihmë Benetit, pronarja e farmacisë e cila është edhe punëdhënëse e babait të Benetit, Birgit Lauterbach ka iniciuar një aksion për grumbullimin e ndihmave financiare, shkruan albinfo.ch.

Ajo, pasi ka hapur një xhirollogari, u ka shkruar të njohurve dhe kolegëve të saj me kërkesën për t`iu bashkuar aksionit.

Vetë Birgit do të dhurojë mbi 1000 euro, ka thënë ajo për gazetën. Farmacistja thotë se jehona e këtij apeli ka qenë e hatashme.

“Për përkujdesjen pas operacionit tashmë janë siguruar mjaft para”, ka shtuar farmacistja për gazetën tjetër,  “Süddeutsche Zeitung”.

Beneti fizikisht tashmë ndjehet mirë por është shumë i pikëlluar pasi që në sulmin e 22 korrikut kanë humbur jetën dy shokë të tij të ngushtë, thotë zonja Lauterbach.

Me paratë e dhuruara, ka thënë ajo, do të mbulohen faturat e protezave të dhëmbëve të Benetit. Ai ka humbur shumë dhëmbë nga plumbat me të cilët është qëlluar.

Po ashtu do të sigurohet përkujdesja për dy vëllezërit e vegjël të të plagosurit pasi që e ëma është shumë e angazhuar për të shoqëruar Benetin nëpër mjekë.