Fanella e Shqipërisë, më e shtrenjtë se ajo e Spanjës

10.03.2017 23:22
Fanella e Shqipërisë, më e shtrenjtë se ajo e Spanjës

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Europian e ngriti në një tjetër standard Kombëtaren e futbollit. Jo vetëm për nga pritshmëritë e rezultateve sportive, por edhe për nga nevojat dhe kushtet që ajo kërkon. Si të mos mjaftohej me kaq, pjesëmarrja në Europian ngriti edhe standardin e çmimeve që kanë të bëjnë me pajisjet dhe veshjet sportive.

Me një vëzhgim të thjeshtë, “Panorama Sport” sjell pasqyrën e çmimeve që duhet të paguajë një tifoz shqiptar për të pasur fanellën e ekipit të zemrës, atë të Shqipërisë në raport me skuadrat kampione të botës, Italinë dhe Spanjën.

Çmimet

Pak ditë më parë, doli në treg fanella e re e Kombëtares, prodhuar nga kompania “Macron”, që është edhe sponsori zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit. Njësoj si uniforma e ideuar enkas për Europianin “Francë 2016”, “Triumf”-i, edhe bluza me dizenjon e re do të kushtojë sërish 79 euro.

Dy kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin G të kualifikueseve për Botërorin “Rusi 2018” kanë të tjera çmime.

Ndonëse Spanja është një herë kampione bote dhe tri herë kampione Europe, ka një fanellë që kushton më pak sesa ajo e Shqipërisë, 74.95 euro. “Furia e Kuqe” ka një uniformë të dizenjuar dhe prodhuar nga kompania “Adidas”.

Zgjedhje e kompanive shpërndarëse dhe sponsorëve të këtyre dy skuadrave, por bazuar në madhështinë sportive, në bazë të fitimeve dhe kualifikimeve ndërkombëtare, diferencat mes këtyre dy fanellave janë të mëdha. Mirëpo, këto diferenca nuk pasqyrohen në aspektin e marketingut, referuar çmimeve për veshjet dhe aksesorët sportivë.

Italia

Në raport me skuadrën tjetër kundërshtare të kuqezinjve në grup, atë që do të jetë rivali në ndeshjen e radhës më 24 mars, uniforma e tyre nga kompania “Puma” është më e shtrenjtë sesa ajo e Shqipërisë. Bluza e parë e skuadrës axurre kushton 122.95 euro.

Për kuqezinjtë, e thënë edhe nga zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe nga drejtues të kompanisë prodhuese të uniformave të kuqezinjve, bluza e ideuar për Europianin ka pasur me të vërtetë një shtrirje të madhe gjeografike të vendeve ku është shitur. /Panorama-sport.com