Familjarët e Ukë Rugovës dhe Gani Thaçit përzgjidhen për të lobuar për heqjen e vizave

Familjarët e Ukë Rugovës dhe Gani Thaçit përzgjidhen për të lobuar për heqjen e vizave

Dy familjare të familjeve më të fuqishme në skenën politike të Kosovës,  asaj Rugova nga Prishtina dhe Thaçi nga Skënderaj, që nuk e kanë trashëguar asnjë veti të paraardhsëve në politikë, janë përzgjedhur për të qenë pjesë e një ekipi që ka për qëllim bindjen e politikanëve evropian për liberalizim vizash.

Por përtej ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe presidentit Hashim Thaçi, këto dy familje kanë edhe përfaqësues që janë zbuluar në afera të dyshimta korruptive. Bëhet fjalë për djalin e Rugovës, Ukën dhe vëllain e Thaçit, Ganinë. E familjarët e këtyre dy figurave,  Teuta Rugova dhe Evgjina Thaçi janë përzgjedhur në një mision: lobimin për liberalizim vizash.

Familjarët e Teutës të dyshuar për krim të organizuar duke përfshirë viza të rrema, ndërsa familjarët e Evgjinës të dyshuar për afera korruptive në BKS si dhe për nepotizëm familjar, raporton Insadjeri.

Teuta Rugova, e bija e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova ka arritur që për dy legjislatura të Kuvendit të Kosovës ta fitoj mandatin e deputetes. Por një gjë të tillë nuk e bëri vëllai i saj, Ukë Rugova.

Ai i ishte futur një rruge tjetër, krimit të organizuar. Një hetimi ndërkombëtarë prej 26 muajsh kishte rezultuar se djali i Ibrahim Rugovës është i përfshirë në vepra kriminale. Njëra ndër to kishte qenë biznesi i paligjshëm me viza, për të cilën sot pritet të loboj motra e tij Teuta, në Austri.

Aktakuzë kundër Ukë Rugovës dhe 20 tjerëve për krim të organizuar

Uka përveç dyshimeve të biznesit të paligjshëm me viza ai dyshohet edhe për trafikim ndërkombëtar të drogës dhe armëve. E gjithë kjo ngjarje ishte publikuar në një sërë hulumtimesh dhe përgjimeve të siguruara nga Insajderi të titulluar “Dosja Grande”.

Uka po vazhdon ende të përballet me drejtësinë tash e sa kohë për këtë rast. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprimtarinë kriminale që lidhet me vizat Schengen të lëshuara nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Ndryshimi i vetëm në gjithë ngjarjen e Ukës është se atij lënda e tij nga ndërkombëtarët ka kaluar tek vendorët.

Shtëpia e Rugovës ishte bastisur më 5 shkurt të vitit 2014. Aty ishte gjetur një material voluminoz që dyshohet se është shfrytëzuar për aplikim të vizave të rrejshëm Schengen, për çka Teuta sot do të provoj që kosovarët të mos kenë nevojë për viza të tilla.

Dosja Grande – Insajderi sjell përgjimet e klanit të Ukë Rugovës

Policia kishte zbuluar dhe sekuestruar në shtëpinë e Ukës 40 komplete të aplikimeve për viza me fotografi të aplikuesve, 73 faqe të kopjeve të pasaportave, 22 dëftesa të vizave, 83 dokumente të madhësisë së fotografive, 168 zarfe që përmbanin dokumente të policave të sigurimit shëndetësor, një letër e adresuar ambasadorit të mëparshëm italian në mbështetje të aplikimeve për viza, 3 letra të adresuara për Faëzi Habib – zyrtar i Ambasadës Italiane, 16 fotokopje të letërnjoftimeve dhe dokumente të KEK-ut.

Rrugëtimi i vëllait të Teutës nga politika tek veprat kriminale me viza

Pas vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe njëkohësisht liderit të LDK-së, ishte menduar se djali i tij Uka do ta zëvendësonte atë. Por një gjë të tillë ai nuk e kishte bërë asnjëherë.

Angazhimi politik dhe veprat e tij kriminale e dallojnë shumë nga i ati. Uka nuk kishte ndjekur rrugën e babait si themelues i LDK-së. Ai rrugëtimin e tij politik e kishte nisur drejt Partisë Demokratike të Kosovës.

Kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e katërt nga viti 2010 deri më 2014. Kishte hyrë si deputet në Kuvend me listën e AAK-së, por pas zgjedhjeve kishte kaluar në grupin parlamentar të PDK-së. Ai kishte marrëveshje koalicioni me të ashtuquajturën “Lista dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës ishte Dardan Gashi, Bujar Bukoshi e Astrit Haraqija.

Katër burrat që vendosën për votën e Teuta Rugovës

Besnik LDK nuk i kishte qëndruar as motra e Ukës, Teuta. Ajo gjatë votimit të Qeverisë Haradinaj kishte refuzuar ta dëgjoj partinë e saj. Kishte votuar pro miratimit të Qeverisë Haradinaj, duke lënë partinë e saj në opozitë.

Dy ditë para vendimit të saj Teuta, do të habiste bashkëpartiakët e saj duke ngritur dorën në seancën konstituive, në favor të koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike, ajo ishte takuar me katër burra që do të vendosnin fatin e saj politik.

Në një restorant të Prishtinës ajo ishte me Ukën, Daut Haradinajn, Adem Grabovcin dhe Dardan Gashin. Haraqija është i akuzuar së bashku me Ukë Rugovën për skandalin e shitjes së vizave italiane, Grabovci i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Gashi pa qenë pjesë asnjë partie u bë zv/kryeministër në Qeverinë e Haradinajt dhe ministër i Diasporës.

Fati i vizave për kosovarët në dorë të mbesës së Thaçit

Për të lobuar për liberalizimin e vizave është zgjedhur edhe Evgjeni Thaçi, vajza e Ganiut, vëllait të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Por për dallim nga familjarët e Teutës që kanë lidhje kriminale me vizat, Evgjenia ka një situatë më ndryshe. Babai i saj, Ganiu dyshohet për emërimet të të familjarëve në agjencinë shtetërore – Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Dy muaj pasi vëllai i presidentit ishte zgjedhur ushtrues detyre i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ai kishte punësuar si drejtoresh të dashurën e djalit të tij, Kushtrimit.

BKS – Dyshime për vjedhje nga njerëzit e afërt me Gani Thaçin

Më 11 gusht të vitit 2016, Gania kishte punësuar Edonën kunatën e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Evgjeni Thaçin si drejtoresh e Kartonit të Gjelbërt.

Insajderi kishte kontaktuar vetë Gani Thaçin për këtë rast, por ai kishte thënë se nuk është në dijeni për punësimin e Edonës. Kishte thënë se nga Insadjeri po informohet për këtë ngjarje.

“Prej teje e morra vesh. Nuk kam qenë në zyre dhe nuk e di që ka ndodhur kjo”, kishte thënë Thaçi për Insajderin.

Kosovarët vazhdojnë të mbesin të izoluar për shkak të mos liberalizimit të vizave. Më herët nga Bashkimi Evropian kishin qenë dy kushte që kosovarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Ratifikimi i demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Kartoni i Gjelbërt- Emërohet drejtoreshë e dashura e djalit të Gani Thaçit

Demarkacioni është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës por çështja tjetër që mbetet shqetësuese për BE-në është luftimi i korrupsionit. Zyrtarët e lartë të vendit vazhdimisht shprehen të sigurt se kosovarët do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti.

Për të lobuar për këtë çështje Kryetari i Kuvendit të Kosovës do ta vizitoj Austrinë, ku shoqërues do të ketë nga një deputet të secilit grup parlamentar. Nga LDK është propozuar Teuta Rugova, nga PDK Evgjeni Thaçi, Vetëvendosje Glauk Konjufca, AAK Time Kadrijaj, Lista Serbe Adem Hodza, ndërsa nga KDTP Fikri Damka./Insajderi.com