Familjarët e aktivistëve të vrarë të LDK-së: Mos na i përdorni prindërit për zgjedhje

20.03.2017 15:56

Familjarët e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës të vrarë pasluftës së fundit në Kosovë, akuzojnë LDK-në se po përfiton nga përmendja e këtyre vrasjeve vetëm në prag të zgjedhjeve. Ata akuzojnë SHIK-un, derisa e quajnë “gjakpirëse dhe të ndyrë” fushatën e LDK-së para zgjedhjeve.

Familjarët e aktivistëve të vrarë të LDK-së: Mos na i përdorni prindërit për zgjedhje

Të dielën Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu për herë të parë pas një kohë të gjatë kërkesën për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.

E kërkesa e nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, e bërë në 27-vjetorin e themelimit të Degës së kësaj partie në Podujevë, nuk ka ngjallur vetëm reagimin e kundërshtarëve politik, por edhe të familjarëve të aktivistëve të vrarë të LDK-së.

“LDK dëshiron të përfitojë nga viktimat e SHIK-ut dhe të ringjallë vetveten”, thotë Kastriot Imeri, djali i ish-anëtarit të LDK-së i cili ishte vrarë më 2 nëntor të vitit 1999. Ai thotë se “LDK nuk ka të drejtë më të krekoset se kinse kërkon ndriçimin e vrasjeve politike”.

Dajli i Haki Imerit, aktivistit të LDK-së që u vra në rrethana të pasqaruara edhe sot e kësaj dite, thotë se fushata që LDK bën para zgjedhjeve është e ndyrë dhe “tejet gjakpirëse”.

“Fushata anti-kombëtare e udhëheqësisë së LDK-së që bën në paraprag zgjedhjesh është e ndytë dhe tejet gjakpirëse. LDK-ja a është partnere me ata që vranë figurat e e njohura kombëtare të Kosovës, prandaj adresa është e qartë, partneri i koalicionit të LDK-së është qendra e të gjitha llojeve të krimeve si politike edhe ekonomike”, shkruan Kastriot Imeri.

Edhe vajza e Xhemajl Mustafës, gazetarit dhe anëtarit të vrarë të LDK-së, Berianë Mustafa ka akuzuar LDK-në për përfitim në kurrizin e babait të saj.

“Definitivisht paska zgjedhje sivjet pra, nëse i kanë përmend [vrasjet politike të pasluftës]. Kanë qejf me qenë viktimë. Ani me bo PDK me ju ofru koalicion, i harrojnë edhe për nja 3 vjet tjera”, ka shkruar Berianë Mustafa në rrjetin social Facebook.

Xhemajl Mustafa ishte gazetar dhe këshilltar politik i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe anëtar i LDK-së, i cili u vra në Prishtinë në hyrje te apartamentit të tij. Ai u qellua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan.

Me faktin që zyrtarët e LDK-së përmendin vrasjet politike të pasluftës vetëm në prag të zgjedhjeve, ka ironizuar edhe Rilind Bërbatovci, djali i ish-anëtarit të kësaj partie që u vra pasluftës, Ismail Bërbatovci.

“Ja paskan nisë zyrtarët e LDK-së me fol për vrasjet e pasluftës. Kjo do të thotë që zgjedhjet janë afër”, ka reaguar Rilind Bërbatovci në profilin e tij në Facebook.

Gazetari dhe aktivisti i LDK-së Ismail Bërbatovci është zhdukur gjatë luftës më 23 korrik te vitit 1998. Prej kësaj date ai nuk është kthyer me në shtëpinë e tij.

Zbardhja e vrasjeve politike ishte kërkuar me këmbëngulje nga Isa Mustafa dhe drejtuesit e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet qendrore më 2014.

LDK ndez motorët para zgjedhjeve, kërkon zbardhjen e vrasjeve politike

Por, pas ardhjes në pushtet këto kërkesa janë lënë në harresë nga krerët e partisë, të cilët krijuan koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Pikërisht me PDK-në që tashmë udhëhiqet nga Kadri Veseli, ndaj të cilit hidheshin akuzat për vrasjet e aktivistëve të saj. Veseli akuzohej për kohën sa ishte udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

E partia e Isa Mustafës duket se ka filluar fushatën para zgjedhjeve të ardhshme që pritet të mbahen këtë vit ose një vit më vonë, duke kërkuar edhe njëherë drejtësi për vrasjet politike të kryera pasluftës.

LDK shënoi 27-vjetorin e themelimit të partisë në degët e saj në Rahovec e Podujevë, përmes tubimeve në të cilat mori pjesë edhe kryetari i partisë, Isa Mustafa. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, manifestimin e 27 vjetorit të themelimit të degës në Podujevë e shfrytëzoi për të kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve.

“Pashmangshëm këto ditë i kujtojmë më pietet prijësit e intelektualët, ideologët e veprimtarët, deputetët e kryetarët që ranë e na i vranë, që ndërruan jetë por bënë vepra hero e martirë lirie”, ishte shprehur Veliu.

E për këtë deklaratë të Veliut, reagoi deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha. Ai e ofendoi Veliun duke e quajtur “të pafytyrë” për përmendjen e vrasjeve politike në prag të zgjedhjeve. /Insajderi.com