Familja Jashari nuk e mirëpret Kadri Veselin, thotë Molliqaj

Familja Jashari nuk e mirëpret Kadri Veselin, thotë Molliqaj

Që marrëdhëniet ndërmjet familjes Jashari dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi janë zbehur viteve të fundit, është vërtetuar me mungesën e takimeve të familjes Jashari me presidentin.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj pretendon se edhe kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, nuk është i mirëpritur nga familja Jashari.

Kjo, sipas Molliqajt po ndodh pasi familja e ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, ka prishur marrëdhëniet me partinë e cila drejtohet nga Veseli, PDK.

“Familja Jashari sot nuk mori pjesë fare në ceremoninë e organizuar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe PDK si parti nuk janë të mirëpritur tash e disa vite në familjen Jashari”, ka shkruar Molliqaj në profilin e tij të rrjetit social Facebook.

Molliqaj akuzon PDK-në se ka tentuar ta ndërrojë flamurin kombëtar të shqiptarëve.

“Ndër vite, PDK na ka akuzuar neve që gjoja ne nuk e mbajmë flamurin kombëtar në zyre; nuk e vizitojmë familjen Jashari dhe varrezat në Prekaz; nuk e njohim luftën e UÇK-së, etj. E vërteta sot është që: PDK ka hequr dorë nga flamuri kombëtar, madje ka tentu me e ndërru atë”, ka deklaruar Molliqaj.

Sekretari i VV-së ka thënë se “po të ishin gjallë dëshmorët nuk do të pranonin të vizitoheshin nga të tillë njerëz që e kanë braktisur idealin e kombëtar”. /Insajderi.com