Familja Jashari injoroi manifestimin e Presidentit dhe Qeverisë

05.03.2017 14:15
Familja Jashari injoroi manifestimin e Presidentit dhe Qeverisë

Asnjë pjesëtar i Familjes së Adem Jasharit nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Qeveria me rastin e 19 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Ibrahim Shala nga FSK-ja ka thënë se Familja Jashari ka pasur ftesë mirëpo askush s’iu është përgjigjur.

Shala ka thënë se pjesëmarrja e tyre do të madhështonte edhe më shumë organizimin e sotëm në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli e kanë nderuar sot rënien e Adem Jasharit në një ceremoni të organizuar në kazermën kryesore të FSK-së në Prishtinë.

Fjalët më të mira i kanë thënë për rënien e 37 anëtarëve të Familjes Jashari 19 vite më parë.

Për dallim prej viteve tjera në këtë ceremoni s’ka marrë pjesë askush prej familjes pasardhëseve të Familjes Jashari, shkruan Express.

Ibrahim Shala, zëdhënës në FSK, ka thënë se nuk i dinë arsyet e mungesë së tyre. Ka konfirmuar se ftesat u kanë shkuar familjarëve të Adem Jasharit.

“Familja Jashari nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e sotme në Kazermën e FSK-së në Prishtinë. Ata kanë qenë të ftuar. Pjesëmarrja e tyre do të madhështonte edhe më shumë këtë organizim”, ka konfirmuar Shala.

Madje, sot, edhe Oda e Jasharajve ka qenë e mbyllur për liderët e partive politike dhe udhëheqësit e Shtetit.

Askush s’e ka hapur konakun për t’i pritur mysafirët qysh ka ndodhur viteve të kaluara. /Insajderi.com