Falsin familjarët e punëtorit që vdiq sot në vend të punës

Falsin familjarët e punëtorit që vdiq sot në vend të punës

Valon Berisha mbeti i vdekur pasi ra nga kati i tretë i një objekti në Fushë Kosovë. 30 vjeçari, Valon Berisha nga Vasileva e Drenasit është i riu që humbi jetën mëngjesin e së enjtes në vendin e tij të punës.

Ai po punonte në ndërtimin e këtij objekti në Fushë-Kosovë kur ra nga kati i tretë dhe mbeti i vdekur.

Ngjarja tragjike ndodhi në orën 07 e 30 të mëngjesit kur Valoni, babë i dy fëmijëve, nisi punën, raporton “Frontal”, në T7.

Menjëherë pas ngjarjes janë ndërprerë punimet në objektin që po e ndërton kompania “Al Trade” në Fushë-Kosovë, teksa në vend të punës nuk ka qenë më asnjë punëtor.

Në familjen e Valonit në Vasilevë tashmë kanë filluar të presin miq e familjarë për ngushëllime, ndonëse babai i të ndjerit nuk gjendet në Kosovë, pasi i është nënshtruar një operacioni në Tiranë.

Djali i axhës së Valonit, Idriz Berisha thotë lajmin për vdekjen e tij e kanë marr nga punëtorët e tjerë që kanë qenë duke punuar më të, dhe se familja nuk kanë informata tjerë se si ka ndodhur rasti.

Ai thotë se Valoni kishte diplomuar para pak viteve në Fakultetin e Shkencave Sportive në Universitetin e Prishtinës,  por se nuk kishte arritur të gjente punë, duke u detyruar të punonte në ndërtimtari, për ta mbajtur familjen.

Ai thotë se nuk kanë informacione nëse vendi ku vdiq Valoni, i plotësonte kriteret për sigurinë në punë.

Në një përgjigje për Frontal, Policia e Kosovës ka thënë se është inicuar hetim për me qellim te ndriqimit te rrethanave te vdekjes së të riut, dhe pritet intervistimi i personave që në një mënyrë ose tjetrën ndërlidhen me rastin.

Që nga Janari e deri më sot 5 punëtor kanë humb jetën në vendin e punës, në sektorin e ndërtimtarisë.

Viktima e fundit ishte 23 vjeçari Gentian Krasniqi, nga komuna e Malishevës,  i cili gjeti vdekjen në vendin e punës në Prishtinë.