Faktet që e bëjnë të dyshimtë çmimin e Shefilld-it për Kadri Veselin

Ceremonia e djeshme ku u shpërblye Kadri Veseli mbajti të fshehur për publikun shumë informata për dhënësin e tij, degën në Greqi të Universitetit të Shefilldit. Ai është një kontraktor i Qeverisë që ka përfituar rreth 1 milionë euro nga taksat tona. Aty janë “shkolluar”, me para të shtetit njerëz të fuqishëm të politikës, familjarë dhe militantë partiakë. Nuk ka përfituar vetëm stafi i administratës publike, për të cilët edhe ishte e dedikuar marrëveshja me kolegjin nga Selaniku.

Faktet që e bëjnë të dyshimtë çmimin e Shefilld-it për Kadri Veselin

Mban datën 9 nëntor të këtij viti një njoftim në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.  Është emërtuar “Kryetarit Veseli i ndahet çmimi për meritat në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit”.

Ky çmim i është ndarë nga Universiteti i Shefilldit, dega në Selanik. Me çmimin “student i dalluar” u shpërblyen edhe tre ish-koleg të Veselit, të cilët kanë studiuar në këtë universitet.

Por, njoftimi zyrtar i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit është i mangët për kah informacionet.  Nuk tregohet shumë për dhënësin e shpërblimit për Veselin.

Në fakt, nuk tregohet ana e errët e kësaj historie.

City College/Universiteti i Shefilldit në Selanik nuk është thjeshtë një vend, ku Veseli ka studiuar dhe që pas disa vitesh, në baza parimore, ka vendosur ta shpërblej ish-studentin e tij.

Ky universitet është një kontraktor i Qeverisë së Kosovës. Nuk është prej kontraktorëve të vegjël, është prej atyre që kanë përfituar shuma deri në 1 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.

Publikut është dashur që t’i tregohet ky detaj.

Promovimi i marrjes së një shpërblimi pa treguar informatat bazike për dhënësin, ngre shumë dyshime.

Pikë së pari tregon për një përpjekje të Veselit për të përfituar politikisht, duke shfrytëzuar kontraktorët e Qeverisë në dhënien e shpërblimeve për të. Shumë të tjerë para tij kanë vepruar ngjashëm. Kanë tentuar që të shpërfaqen si figura të respektuara nga institucionet arsimore, duke i shtyrë ato që të ju japin çmime “Honoris Causa”, apo “Çmime për merita në lidership dhe shërbim ndaj komunitetit”.

Po ashtu lind dyshimi nëse kontraktori i Qeverisë obligohet që të shpërblejë politikanët e fuqishëm, në këmbim të vazhdimit të marrëdhënies kontraktuale.

Dyshimet shtohen kur dihet fakti se ishte përshkuar me parregullsi partneriteti mes Qeverisë së Kosovës dhe degës në Greqi të Universitetit të Shefilldit.

Nga viti 2009 e deri më 2014 mbi 1 milionë euro janë dhënë nga Qeveria e Kosovës për bursa të kosovarëve për të studiuar në Selanik. 250 mijë prej tyre janë dhënë për të shkolluar zyrtarët e administratës publike.

Si në çdo kontratë publike, terreni për qeveritarët ishte i pëlleshëm për të abuzuar.

Dhe ata e bënë këtë. Ndonëse bursat ishin të parapara për stafin e administratës publike, kontratat e ripërtërira përvitshëm me City College u shfrytëzuan për tu shkolluar këshilltarët politik, të afërmit e politikanëve dhe vetë politikanët.

Arsyeja që Qeveria kishte vendosur të shpenzonte para për bursa për tu shkolluar në këtë universitetit, ishte rritja e kapaciteteve për stafin e administratës publike. Kishte arsyetuar shpenzimet me faktin se të shkolluarit do të jepnin më shumë rezultate pas kthimit nga Selaniku.

Por kush kishte përfituar nga kjo mundësi?

Administrata publike, Jo.

Ishte ish-deputeti Fadil Demaku njëri prej tyre. Atëkohë, nuk e njihte gjuhën angleze që ishte kriter për të përfituar bursë. Nuk ishte as i punësuar në administratë publike më 2009. Megjithatë, shteti vendosi të shpenzojë afër 10 mijë euro për të.

Kur në mars të vitit 2014, bashkë me gazetarët Merita Krasniqi dhe Njomza Salihi, raportuam në Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me bursën e tij, patëm biseduar me Demakun.

E pyetëm lidhur me mos plotësimin e kritereve.

“Ndoshta Ministria e Arsimit e ka marrë parasysh që unë kam qenë edhe veteran i luftës dhe jam nga një familje e dëshmorëve”, pati thënë Demaku, në një përpjekje të zbehtë të tij për të arsyetuar mos plotësimin e kritereve.

Të tjerë përfitues ishin Skënder Xhakaliu, ambasador i Kosovës në Gjermani bashkë me djalin e tij  si dhe djali i ish-rektorit Ibrahim Gashi, një i dorëhequr pas protestave të studentëve që e akuzonin për mashtrime.

Bursat e fituara nga këta njerëz nuk do të shiheshin me dyshim nëse zbatimi i marrëveshjes Qeveri e Kosovës – City College do të bëhej në mënyrë transparente dhe do t’i plotësonin kriteret e përcaktuara.

Por, ka ndodhur e kundërta.

Ka pasur kritika edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Megjithatë, nuk janë marrë masa ndaj askujt në Ministrinë e Arsimit, e cila ka lidhur këto marrëveshje dhe nuk është kujdesur për zbatimin e saj.

Raporti i auditimit i publikuar në qershor të vitit të kaluar konkludon se Ministria e Arsimit  nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të kryer vlerësimin e kërkuar të nevojave për shkollim të stafit të administratës publike. Madje, as nuk ka komunikuar me Ministrinë e Administratës Publike.

“Në kuadër të programit studimor janë ofruar pesë fusha studimi. Ne arrijmë në përfundimin se këto pesë fusha studimore mund të mos korrespondojnë me nevojat e përgjithshme të Administratë Publike duke qenë se nuk është kryer asnjë vlerësim i nevojave. Të gjitha fushat e studimit janë ashtu siç janë ofruar nga Universiteti i Sheffield dhe në të cilat përfituesit bëjnë zgjedhjen sipas interesit të tyre”, thuhet në raportin e auditimit.

Përveç këtij fakti, auditorët kanë konkluduar se Ministria e Arsimit nuk ka krijuar mekanizëm monitorimi të përfituesve.

Sipas auditorëve, MASHT nuk ka informacione lidhur me statusin e punësimit të përfituesve të bursave, para dhe pas fillimit të studimeve.

Auditorët kishin kërkuar dëshmi nga Ministria e Arsimit për të kuptuar nëse përfituesit e bursave vazhdojnë të punojnë në Administratës Publike, pas përfundimit të studimeve.

Kishte zbuluar se Ministria e Arsimit nuk kishte nënshkruar kontrata me përfituesit e bursave, të cilat do të përcaktonin kushtet dhe afatin kohor të kthimit të shërbimit në Administratë Publike.

Po ashtu, Ministria e Arsimit sipas auditorëve nuk ka as informata lidhur me vijueshmërinë e studimeve nga bursistët që paguhen me para të buxhetit, dhe po ashtu nuk ka informata nëse bursistët pas studimeve janë kthyer për të shërbyer në Administratë Publike.

Këto fakte e mohojnë deklarimin e djeshëm të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Ai pasi morri çmimin falënderoi degën në Selanik të Universitetit të Shefilldit për mundësinë që po iu jep kosovarëve për të studiuar.

Në fakt, marrëveshjet e Qeverisë me këtë universitet më shumë se sa studentëve kosovarë, i kanë dhënë mundësi zyrtarëve qeveritarë për të abuzuar me taksat tona, duke futur në lista veten dhe familjarët e tyre.