Faktet demantojnë RTK-në, transmetoi spot të Kadri Veselit edhe më 17 shkurt

Faktet demantojnë RTK-në, transmetoi spot të Kadri Veselit edhe më 17 shkurt

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka transmetuar edhe më parë spot televiziv të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në lajmet e saj qëndrore. Më 17 shkurt të këtij viti, Transmetuesi Publik kishte transmetuar në lajme një spot të Veselit për rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk e kemi praktikuar asnjëherë që të transmetojmë spote në edicione të lajmeve”, tha sot kryeredaktori i RTK 3 Ridvan Berisha, teksa deklaronte se RTK transmetoi gabimisht të dielën një spot televiziv të kryetarit të Parlamentit Kadri Veseli, në edicionin e Lajmeve Qëndrore të RTK-së.

Sipas Berishës, spoti i kryeparlamentarit Veseli u ngatërrua me një kronikë të një lajmi të shkurtër që ishte paraparë të transmetohej në lajmet qëndrore të Transmetuesit Publik.

“Sonte në Lajmet Qëndrore 19:30 e kemi transmetuar një spot televiziv të kryeparlamentarit Veseli kushtuar Epopesë së UÇK. I lexova reagimet e para, shumica kritika me vend. Dhe më duhet të ju njoftoj se ky ka qenë një lëshim krejt teknik sepse në vend të lajmit të shkurtër është transmetuar gabimisht spoti”, ka shkruar Berisha në Facebook, duke e shfajësuar institucionin e RTK-së për këtë gabim, të cilin e konsideroi si “teknik”.

Kryeredaktori i kanalit të tretë të RTK-së ka thënë se ata nuk e kanë praktikuar asnjëherë transmetimin e spoteve të sponzorizuara në edicionet e lajmeve.

“E shfrytëzoj këtë rast për të ju thënë se ky ka qenë gabim plotesisht teknik dhe asesi nuk e kemi vënë në pikëpyetje gjykimin tonë editorial në raste të tilla të transmetimit të lajmit”, u shpreh Berisha.

Mirëpo, nëse hedh një sy në edicionet e mëhershme të lajmeve të RTK-së, sheh që spote të tilla të Kadri Veselit ishin shfaqur në edicionet qëndrore të lajmeve të RTK-së.

Më 17 shkurt të këtij viti, me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një spot televiziv i kryetarit të PDK-së ishte shfaqur në lajmet qëndrore të Transmetuesit Publik. Madje, videoja e tij ishte shfaqur në fillim të edicionit të lajmeve.

Në atë spot televiziv, Veseli uronte qytetarët e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë. Edhe ai spot ishte përgatitur profesionalisht me kërkesë të Veselit e jo nga gazetarët e RTK-së.

Transmetuesi Publik dy ditët e fundit është kritikuar nga dy organizata ndërkombëtare të medieve. Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Organizata e Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO) janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e RTK. Kanë thënë se “brenda këtij institucioni ka trazira”. /Insajderi.com