Fakte të reja tronditëse për kurdisjet e ndeshjeve në Shqipëri

11.09.2016 20:45

I përjashtuar nga UEFA Champions League për 1 vit dhe i vënë nën akuzë nga Partizani e Skënderbeu që kërkojnë në tavolinë titujt e fituar nga korçarët, Skënderbeu është hedhur në sulm. Klubi korçar ka publikuar pjesë të raportit të UEFA –s, përsa u përket dyshimeve për trukime të disa ndeshjeve të luajtura prej tij në Superligë.

Fakte të reja tronditëse për kurdisjet e ndeshjeve në Shqipëri

Kampionët thonë se raporti, në pjesët e papublikuara deri tani, nuk flet për implikim të tyre, por hedh dyshime për manovra të ekipeve kundërshtare në tre ndeshje të luajtura; Tiranës, Teutës dhe Tërbunit.

“Klubi i futbollit “Skënderbeu” duke marrë shkas nga situata e krijuar së fundmi dhe në veçanti nga kërkesa dhe pretendimet e një klubi kundërshtar në lidhje me titullin kampion 2015/16 ka vendosur të bëjë publike pjesë të raportit të cilat tregojnë qartazi se klubi ynë në raportin e paraqitur para trupit gjykues të UEFA-s për ndeshjen e dyshuara për sezonin e kaluar nuk ka asnjë lidhje ose nuk ka tentuar të manipulojë rezultatin sportiv për përfitime nga bastet”, thuhet në reagimin e Skënderbeut.

Teksa u kërkon falje kundështarëve për nxjerrjen e këtyre pjerëve të raportit, klubi shpjegon se “në raportin e paraqitur para trupit gjykues të komisionit të disiplinës pranë UEFA-s Skënderbeu është përmëndur në vetëm 3 ndeshje të sezonit të shkuar, ku në të tre këto takime nuk ka asnjë lidhje me tentativat për trukim.

Me anë të publikimit të raporteve për këto tre takime, klubi ynë nuk ka si qëllim dëmtimin e kundërshtarëve por mbylljen përfundimtare të kësaj historie dhe tentativave për të marrë titull kampion në tavolinë”.

Reagimi shoqërohet me raportet e tre ndeshjeve ku është përmendur Skënderbeu për sezonin 2015/16.

KF Skënderbeu-Tirana 2-1

1- Ka prova te mjaftueshme prej basteve per te percaktuar se ndeshja eshte manipuluar per qellime bastesh. Faktoret normal sportive nuk mund te shpjegojne teresine e basteve te vena per humbjen e ndeshjes nga KF Tirana, vecanerisht me baste ekstreme te vena ne fazen finale te ndeshjes. Ne teresi, ka te dhena te pagabueshme prej bastevenieve se KF Tirana ka humbur me vullnet ndeshjen me qellim perfitimi prej sistemit korruptiv te basteve.

KF Skënderbeu-Terbuni 4-0

2- Ka prova te mjaftueshme prej basteve per te percaktuar se ndeshja eshte manipuluar per qellime bastesh. Faktoret normal sportive nuk mund te shpjegojne teresine e basteve te vena per humbjen e ndeshjes nga Terbuni Puke me 4 gola, vecanerisht me baste ekstreme te vena ne fazen finale te ndeshjes. Ne teresi, ka te dhena te pagabueshme prej bastevenieve se Terbuni Puke ka humbur me vullnet ndeshjen me qellim perfitimi prej sistemit korruptiv te basteve.

KF Skënderbeu-Teuta 2-2

3- Ka prova te mjaftueshme prej basteve per te percaktuar se ndeshja eshte manipuluar per qellime bastesh. Asnje justifikim nuk mund te kete per Teuten per te humbur ndeshjen me dy gola diference dhe per bastet e larta te vena ne fazen finale te ndeshjes. Pavaresisht se shumica e basteve rezultuan te pasuksesshme, ekzistojne te dhena te bollshme qe vertetojne se KS Teuta ka tentuar te manipuloje rezultatin e ndeshjes me qellim perfitimi.

Partizani e Kukësi, pas publikimit nga UEFA të arsyeve përse e përjashtoi Skënderbeun për një vit nga kupat e Europës, kërkuan që të njëjtin vendim ta merrte edhe FSHF.

Raporti flet për 41 ndeshje të manipuluara për qëllime fitimit të paligjshëm nëpërmjet basteve (5 ndeshje të Ligës së Kampioneve, 2 ndeshje të Europa League, 41 ndeshje të Kampionatit Shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë si dhe 6 ndeshje miqësore).

“Për aq kohë sa UEFA na njohu si kampionë të Shqipërisë, që na cilësoi si të denjë për të marrë pjesë në Champions League, do ishte e nevojshme që edhe organi që drejton futbollin në Shqipëri, FSHF, të mbante një qëndrim”, thuhet në reagimin e Partizanit.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, flet për tituj të marrë me hile nga Skënderbeu, 6 herë radhazi kampion i Superligës, shkruan Lapsi.al.

“Ne nuk kemi asgjë në dorë sepse institucionet vendosin për fatin e kampionateve. Edhe po ta kërkojmë ne titullin, ata mund të refuzojnë. Unë dua që titujt t’i marr në fushën e lojës dhe me futboll të pastër. Nëse titulli merret me hile, hilet dalin më vonë si tani” tha ai.

Klubi korçar thotë se raporti i UEFA flet qartë se nuk është Skënderbeu i implikuar në trukimet e 3 ndeshjeve të sezonit të shkuar të Supërligës. FSHF deri tani nuk e ka nisur ndonjë hetim. Zyrtarë të saj deklaruan për mediat në kohën e përjashtimit të Skënderbeut nga Europa për 1 vit, se do të shqyrtonin fillimisht raportin e UEFA –s përpara se të vendosnin që të hetonin për kampionatin shqiptar. /Insajderi.com