Misteri rreth “Pizzagate” më në fund është zbuluar.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka pranuar se ishte ai futbollisti i cili e kishte gjuajtur me picë trajnerin legjendar të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, në tetor të vitit 2004.
Një përleshje e futbollistëve të dy klubeve kishte ndodhur në tunelin e zhveshtores pas fitores 2 me 0 të Unitedit, duke i dhënë fund serisë historike të Arsenalit prej 49 ndeshjeve rresht pa humbje, transmeton Koha.net.
Dy ekipet ishin përleshur pas ndeshjes, para se Fergusoni të mbeste me picë në fytyrë dhe gjithë trupin pasi një futbollist e kishte gjuajtur atë në drejtim të trajnerit të famshëm.
Fabregas, tani pjesë e Chelseat, përmendej vazhdimisht si futbollisti i cili e kishte bërë këtë vepër, ndërsa tani pas 13 vjetësh kjo është konfirmuar.
“Po. Krejt papritmas, dëgjova zhurma dhe thash çfarë po ndodh. Andaj dola me picën time dhe e pash Sol Campbell, Rio Ferdinandin, Martin Keownin – të gjithë duke shtyrë njëri-tjetrin. Doja të hyja, dhe e hodha picën. Nuk e kam parë se nga po shkonte, kënd po e godiste… I kërkoj falje Sir Alexit, në të vërtetë nuk e kam menduar ta bëja atë!”, ka thënë Fabregas për “Sky”.
Edhe Fergusoni kishte folur për këtë incident në librin autobiografik.
“Kam parë picën gjithandej në trupin tim. Ne vendosim ushqim në zhveshtore pas çdo ndeshje. Pica, pulë. Shumica e klubeve e bëjnë. Ushqimi i Arsenalit ishte më i miri. Thonë që Fabregasi e gjuajti picën, por akoma as sot, nuk kam ide se kush ishte ai që e bëri këtë vepër”, kishte shkruar Ferguson.