Evakuim masiv pas zjarrit në një depo municioni në Ukrainë

23.03.2017 12:35
Evakuim masiv pas zjarrit në një depo municioni në Ukrainë

Një depo municioni pranë qytetit Karkiv të Ukrainës është përfshirë nga flakët.

Disa shpërthime janë dëgjuar po ashtu, duke bërë që mijëra njerëz të evakuohen.

Kryeministri Volodymyr Hroysman tha se shpërthimi ka ndodhur në depon e bazës ushtarake në Balaklia, pranë Karkivit, dhe rreth 100 kilometra larg vijës së frontit në konfliktin midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Kryeprokurori ushtarak, Anatoliy Matios, shkroi në Facebook se hetuesit në vendin e ngjarjes besojnë se zjarri dhe shpërthimet e mëvonshme janë “rezultat i sabotimit”.

Zyrtarët nuk thanë menjëherë nëse ka viktima nga incidenti. Ata thanë se rreth 20,000 banorë të zonës janë duke u evakuuar, shkruan REL.

Depoja, e cila posedon mijëra tonelata municion, përfshirë artileri dhe raketa, përdoret për të furnizuar forcat e Ukrainës.