Europa League mëson sot skuadrat çerekfinaliste

Europa League mëson sot skuadrat çerekfinaliste

Sot në mbrëmje do të mësohen emrat e 8 skuadrave çerekfinaliste të Europa League. Sfida kryesore është ajo mes Romës dhe Lionit në “Olimpico”.

Skuadrës së Spalleti-t do t’i duhet që të përmbysë rezultatin 4-2 në favor të francezëve për të vijuar rrugëtimin e saj në këtë kompeticion. Manchester United do të presë në “Old Trafford” skuadrën e Rostov. Trajneri Mourinho do të duhet të bëjë në këtë ndeshje pa Rooney dhe Martial, por do të ketë Ibrahimovic, ndërkohë që edhe në krahun tjetër ka mungesa. Skuadra ruse nuk do të ketë në përbërje të saj Gatskan dhe Kalaçev pasi janë të skualifikuar për shkak kartonësh, ndërsa Vladimir Granat ka pësuar një dëmtim të rëndë në shpatull.

Celta Vigo do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Krasnodarit në Rusi. Skuadra spanjolle shkon në këtë përballje me avantazhin e ndeshjes së parë 2-1, një rezultat ky që gjithsesi lë gjithçka hapur për kualifikimin.

Tjetër sfidë interesante është derbi gjerman mes Monchengladbach dhe Schalke. Ndeshja e parë luajtur në Gelsenkirchen përfundoi 1-1, një rezultat që i jep një avantazh të lehtë skuadrës së Monchengladbach.

Me barazimin 1-1 në horizont do zhvillohet edhe derbi ballkanik mes Besiktas-it dhe Olympiakos, sfidë kjo që do të luhet në Turqi. Genk vjen me një siguri në ndeshjen e kthimit në derbin belg me Gent pasi ka fituar ndeshjen e parë 5-2 jashtë fushe, ndërkohë që Ajax-i do të presë në “Amsterdam Arena” Copenhagen ndaj të cilit humbi 2-1 një javë më parë.