Eurodeputeti – kryeministrit Mustafa: Mos u shfajëso por godite korrupsionin

Eurodeputeti – kryeministrit Mustafa: Mos u shfajëso por godite korrupsionin

Kosova duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin e përhapur, në mënyrë që të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Evropian, ka thënë eurodeputeti Lars Adaktusson.

Deputeti suedez i Parlamentit Evropian, Lars Adaktusson, përmes një opinioni të publikuar në mediumin suedez Europaportalen.se, ka thënë se vlerësimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, se Kosova ka luftuar mjaftueshëm korrupsionin për t’u inkuadruar në BE, nuk qëndron.

Në opinionin e tij, Adaktusson paraqet një shembull se si korrupsioni po e dëmton Kosovën.

Eurodeputeti nga Suedia shkruan për një student të Universitetit të Prishtinës, me emrin Liridon Haziri, i cili në një intervistë me “Prishtina Insight” kishte thënë se vendosi të largohej nga Kosova për në Gjermani në momentin kur atij iu kishin mohuar studime të mëtutjeshme për shkak se nuk kishte lidhje politike.

“Intervista e këtij studenti të vlerësuar që vendosi të largohet nga vendi është një histori e shumë prej efekteve të korrupsionit në Kosovë. Shteti i vogël, është në nevojë urgjente për të gjitha përpjekjet e qytetarëve të saj”, ka shkruar Adaktsson.

Sipas Adaktusson, Kosovës i duhen politikanë që nuk mundohen të mbulojnë gabimet e tyre, por që përballen seriozisht me korrupsionin, raporton Insajderi.

“Disa ditë pas publikimit të intervistës me studentin e universitetit [Universitetit të Prishtinës v.j], Liridon Haziri, foli Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai foli për korrupsionin në vend, theksoi se qeveria e tij kishte bërë atë që kërkohej përsa i përket integrimit dhe potencoi se Kosova kështu plotësoi kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave”, deklaroi Adaktusson.

“Pas një numri të madh të takimeve me përfaqësuesit kryesorë politikë dhe organizatat e shoqërisë civile, mund të them se vlerësimi i kryeministrit nuk përputhet me BE-në. Për vendin e tij dhe për të mirën e popullit të tij, është koha që vendimmarrësit e Kosovës të ndalojnë shfajësimet dhe të përballen seriozisht me goditjen e korrupsionit”, ka shkruar eurodeputeti suedez.

Adaktusson ka shkruar edhe për rëndësinë që ka për Bashkimin Evropian integrimi i Kosovës në aleancë, për shkak të ndikimit të vendeve nga Lindja, siç janë Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia. /Insajderi.com