Eurodeputeti Adaktusson: Këto tre shtete janë gati të shtrijnë ndikimin në Kosovë

Eurodeputeti Adaktusson: Këto tre shtete janë gati të shtrijnë ndikimin në Kosovë

Deputeti i Parlamentit Evropian, suedezi Lars Adaktusson i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të integrojë Kosovën në “gjirin e saj”, para se shtete si Arabia Saudite, Turqia dhe Rusia të shtrijnë ndikimin në këtë shtet.

Përmes një opinioni të publikuar sot në mediumin suedez Europaportalen.se, Adaktusson, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, deklaroi se korrupsioni është problemi më serioz i shtetit të Kosovës.

Deputeti i Partisë Popullore Evropiane (EPP) shprehu rëndësinë që Kosova të integrohet në BE, për shkak të ndikimeve që mund të vijnë nga Lindja.

“Si zëdhënës i EPP-së për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në BE, javën e kaluar kam bërë një vizitë në kryeqytet, në Prishtinë. Zhvillimet gjeopolitike në Kosovë, si dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, janë çështje vërtetë kyçe. Nëse BE-ja nuk arrin që të lidhë edhe këtë pjesë të Evropës, atëherë forca të tjera politike janë të gatshëm të ‘ndihmojnë’ dhe kështu të forcojnë ndikimin e tyre në rajon”, ka thënë Adaktusson.

“Bëhet fjalë për Turqinë dhe Rusinë, por edhe Arabinë Saudite”, ka deklaruar eurodeputeti.

Më tej në opinionin e tij, Adaktusson tregon arsyet përse ndikimi nga shtetet e Lindjes është i mundshëm të mbërrijë në Kosovë.

“Me një shumicë myslimane, Kosova është veçanërisht e ekspozuar ndaj interesave që duan të forcojnë ndikimin e Islamit në Evropë”, ka shrkuar eurodeputeti Adaktsson. /Insajderi.com