EULEX-i i zhgënjyer me prishjen e rastit Medicus

EULEX-i i zhgënjyer me prishjen e rastit Medicus

Misioni i EULEX-it është ndarë i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për të kthyer në rigjykim rastin e njohur si Medicus.

Besa Domi, zëdhënëse e këtij misioni, i ka thënë Insajderit se gjyqtari i EULEX-it e ka paraqitur mendimin e tij kundërshtues “duke arsyetuar se nuk ekziston asnjë arsye për t’i anuluar të gjitha aktgjykimet e mëparshme dhe për urdhërimin e rigjykimit.”

Insajderi ka raportuar të premten se dy gjyqtarë vendas te Gjykatës Supreme e kanë mbivotuar kolegun e tyre të EULEX-it dhe e kanë prishur këtë rast të krimit të organizuar me përmasa ndërkombëtare me arsyetimin se ka pasur shkelje të ligjshmërisë nga ana e gjykatës së shkallës.

Në këtë kontekst, urologu Lutfi Dervishi dhe i biri i tij, Arbani, të dënuar me burgim në këtë rast, mund t’i japin fund arratisë së tyre dhe lirisht të kthehen në Kosovë.

“Përderisa EULEX-i e pranon aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ky Mision e shpreh zhgënjimin e tij lidhur me epilogun e rastit Medikus, ku një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve vendas me anë të aktgjykimit të datës 15 dhjetor i anuloi të gjitha aktgjykimet e mëparshme në pjesët ku të pandehurit janë dënuar dhe ia ka kthyer lëndën Gjykatës Themelore të Prishtinës për rigjykim”, ka thënë Domi duke komentuar vendimin e ri për Medicusin.

Rasti i trafikimit ndërkombëtar të njerëzve me qëllim të heqjes së veshkave në klinikën Medicus në Prishtinë ishte zbuluar rastësisht në vitin 2008 nga Policia e Kosovës kur një të riu turk që i ishte hequr veshka i kishte rënë të fikët në Aeroportin e Prishtinës.

Hetimet i kishte nisur UNMIK-u dhe rasti ishte transferuar tek EULEX-i

Gjykata kishte dënuar urologun Lutfi Dervishit, djalin e tij Arban Dervishin dhe anesteziologun Sokol Hajdinin më 20 vjet e tre muaj burgim.

Vetëm njëri prej të akuzuarve, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj ishte shpallur i pafajshëm. Të tjerët ishte konstatuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale./Insajderi.com