Tri vjet pas vrasjes së Audrius Šenavičius

EULEX-i kërkon drejtësi për zyrtarin doganor

Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë ende nuk e ka gjetur vrasësin e zyrtarit të saj. Në tre vjetorin e vdekjes së tij, ky institucion ka bërë thirrje për “përmbushje të drejtësisë”.

EULEX-i kërkon drejtësi për zyrtarin doganor

Tri vjet pas vdekjes së tij, EULEX ka përkujtuar zyrtarin doganor që u vra në krye te detyrës, në veri të Kosovës.

EULEX e ka cilësuar Audrius Šenavičius, si një zyrtar  të përkushtuar të EULEX-it i cili dha jetën për të “krijuar një jetë më të mirë për Kosovës dhe njerëzit e saj”.

Në një ceremoni përkujtimore, EULEX e quajti vrasjen e Audrius Šenavičius si vrasje e kryer “në mënyrë të pakuptimtë”.

“EULEX-i është në kërkim të informatave që mund të ndihmojnë për gjetjen e kryerësve të vrasjes së  Audrius. Diçka që juve mund t’ju duket e vogël apo e parëndësishme, për hetuesit mund të jetë informatë jetike”, thuhet në një komunikatë për media.

Madje EULEC ka ofruar shpërblim prej 82. 000 eurosh për informatat që do të çonin në arrestimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasje.

“Familja e tij  dhe ne – kolegët e tij – ende nuk e dimë pse dhe prej kujt ishte vrarë. Audrius nuk do t’i kthehet më familjes. Por, ne të gjithë meritojmë të kemi përgjigje. Drejtësia duhet të përmbushet”, citohet të ketë thënë shefja e Misionit Alexandra Papadopoulou.

Sipas EULEX-it, vdekja e tij qe “ngjarje tragjike për familjen, miqtë dhe më të dashurit e Audrius – si dhe për vet Misionin”.

“Sot mendimet na shkojnë tek bashkëshortja dhe dy bijtë e tij, të cilët mbetëm pa bashkëshort dhe baba. Ne humbëm një pjesëtar të çmuar të ekipit tonë i cili bëri një sakrificë të fundit në përpjekjen për të krijuar një jetë më të mirë për Kosovën dhe njerëzit e saj”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com