EULEX: Hetimet në rastin Lumezi – të pavarura dhe profesionale

EULEX: Hetimet në rastin Lumezi – të pavarura dhe profesionale

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX ka vlerësuar si të pavarur dhe profesional hetimet për provimin e jurispodencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

EULEX-i kishte monitoruar hetimet e kryera nga Policia e Kosovës, që kanë rezultuar me konstatimin se Lumezi ka kryer provimin dhe nuk ka asgjë të dyshimtë në dosjen e tij.

“Prokurori i EULEX është i kënaqur që procedura e hetimeve lidhur me rastin e provimit te jurisprudencës të Kryeprokurorit të Kosovës, është kryer në mënyrë profesionale dhe të paanshme”, ka thënë EULEX-i nëpërmjet një përgjigje me shkrim dhënë Insajderit.

“Prokurori i EULEX mendon se hetuesit e Policisë se Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë realizuar një proces hetimor të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet më tej.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka  përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, për dosjen e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Të martën Prokuroria Themelore e Prishtinës ka përfunduar hetimet dhe ka publikuar një raport prej 17 faqesh me të cilin konstaton se dosja e Lumezit nuk është e manipuluar.

“Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e z. Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara”, thuhet në komunikatë.

17 faktet që vërtetuan provimin e jurisprudencës së kryeprokurorit të shtetit