Eskalon zjarri në Librazhd – kërkohet ndërhyrje nga ajri

Eskalon zjarri në Librazhd – kërkohet ndërhyrje nga ajri

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mesditën e sotme në masivin pyjor të Babjes, fshati Babje, njësia administrative Qendër në Librazhd.

Sipas raportimeve të medieve në Shqipëri përmasat e zjarrit sa vijnë e rriten, ndërsa për të shuar flakët kanë dalë në aksion edhe banorët e zonës dhe punonjës të shërbimit zjarrfikës.

Megjithatë bëhet me dije se për shkak të terrenit të vështirë është e pamundur ndërhyrja me mjete. Raportohet gjithashtu se deri më tani zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 2 hektaresh, ndërsa shkaqet e tij janë ende të paqarta.

Kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gurra deklaron për BalkanWeb se situata e krijuar është mjaft problematike dhe se vetëm një ndërhyrje nga ajri do të shuante flakët e mëdha që po përhapen me shpejtësi.

“Vetëm ndërhyrja nga ajri mund të shmangë përmasat e dëmit katastrofik në ekonominë pyjore të Babjes. Terreni i vështirë nuk lejon ndëhyrjen e mjeteve të shërbimit zjarrfikës. Ky është zjarri me përmasat më të mëdha gjatë kësaj vere në pyjet e Librazhdit”,- tha ai.