Është ngritur çmimi i bukës, furrtarët thonë se u shtrenjtua mielli

12.11.2017 19:50
Është ngritur çmimi i bukës, furrtarët thonë se u shtrenjtua mielli

Çmimi i bukës në vend ka pësuar ngritje. Krahasuar me vlerën e çmimit gjatë tetorit të vitit të kaluar, këtë vit buka ka shënuar rritje të çmimit për 2.9 për qind, thotë Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Por, ndryshe nga Agjencia e Statistikave, furrtarët thonë se çmimi vazhdon të jetë i njëjtë.

Ai varion nga 25 deri në 30 cent, mirëpo, thonë se ndërkohë është rritur çmimi i miellit.

Mirëpo, nëse çmimi i miellit vazhdon të rritet, atëherë furrtarët thonë se do të detyrohen ta ngritin çmimin e bukës, përndryshe, nuk do të jenë në gjendje t’i mbulojnë shpenzimet, raporton KTV.

Sipas Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, këto statistika mund të jenë të pabaza.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, rreth 55 për qind e nevojave të popullsisë arrihet të mbulohet nga prodhimi vendor. Importi më i madh i grurit në vend bëhet nga Serbia.