Eros Grezda në listën e De Biazit për Spanjën

30.09.2016 15:18
Eros Grezda në listën e De Biazit për Spanjën

Eros Grezda po jetën ëndrrën. Pas paraqitjeve fantastike me Lokomotivën e Zagrebit në kampionatin kroat, në harkun e një muaji 21-vjeçari ka kaluar nga debutimi me Kombëtaren Shpresa, te grumbullimi me përfaqësuesen A.

Mesfushori ofensiv, që luan si në krahun e djathtë ashtu edhe në të majtin, do të jetë zyrtarisht i grumbulluar me Shqipërinë, për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës.

Pas sinjaleve se trajneri Gianni De Biasi do të nisë rifreskimin e skuadrës, duke afruar disa elementë të rinj, mes të cilëve ishte edhe Grezda, tashmë nga Kroacia vjen konfirmimi. Me krenari, klubi i Lokomotivës së Zagrebit njoftoi në profilin në facebook se pas grumbullimeve me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve, tashmë Eros Grezda mori ftesën duke fituar edhe thirrjen e parë në Kombëtare, njofton supersport.

Mesfushori i lindur në Gjakovë mendohet se është një ndër tre prurjet e reja në skuadrën kuqezi, ku është përfolur edhe për lojtarin e Skënderbeut, Liridon Latifi dhe për rikthimin e sulmuesit të Gaz Metanit në Rumani, Azdren Llullaku, që pas grumbullimit në vitin 2013 është në pritje të debutimit.