Erdogan: T’i shërojmë shpirtrat me leximin e Kur’anit

Erdogan: T’i shërojmë shpirtrat me leximin e Kur’anit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot në Ankara se detyrë e myslimanëve është ta mbajnë të fortë lidhjen me librin e shenjtë, Kur’anin, dhe t’i shërojnë shpirtrat duke e lexuar atë.

Erdogan mori pjesë në finalen e Garës Ndërkombëtare të Bukurleximit të Kur’anit të organizuar në Ankara. Ai përshëndeti të gjithë mysafirët e ardhur nga 62 shtete, duke i përgëzuar garuesit e kualifikuar.

“Në kaptinën Muzemil, Zoti ynë na urdhëron ta lexojmë Kur’anin me vëmendje. Ta lexosh me vëmendje, do të thotë ta lexosh sipas rregullave të shqiptimit, në mënyrë të qartë dhe duke ia dhënë hakun çdo tingulli, vargu dhe kuptimi. Kur’ani duhet lexuar me zemër të pastër, me gojë të pastër dhe, më e rëndësishmja, me respekt dhe përshpirtëshmëri”, tha Erdogan, duke shtuar se zëri i bukur që Zoti ia fali njeriut, më së shumti i ngjan Kur’anit, raporton Anadolu Agency.

Erdogan më tej tha se myslimanët me shekuj japin përpjekje që nga njëra anë ta kuptojnë dhe ta praktikojnë Kur’anin, kurse nga ana tjetër ta lexojnë atë me zë të bukur. Ai shtoi se detyrë e muslimanëve është t’i mbajnë të forta lidhjet me këtë libër të shenjtë.

“Ajo që kemi përsipër është që gjithmonë t’i mbajmë të forta lidhjet me Kur’anin, i cili është burim i dijes së pashtershme, urtësisë dhe lumturisë. Detyra jonë si myslimanë është që t’i shërojmë me leximin e Kur’anin shpirtrat tonë që zbehen dhe gremisen në jetën e përditshme”, theksoi Erdogan.

Erdogan vlerësoi se aktivitetet e këtilla janë mundësi e mirë që myslimanët të bëjnë llogari rreth egos së tyre dhe për t’i forcuar lidhjet me Kur’anin. “Zoti na e mundësoftë të gjithëve të jetojmë me Kur’an, të ndriçohemi me dritën e tij dhe ta japim frymën e fundit me të”, shtoi Erdoğan.

Megjithatë, Erdogan foli me theks të veçantë mbi rëndësinë e saj që Kur’ani jo vetëm të varet brenda mureve të shtëpisë, por të lexohet, kuptohet dhe praktikohet. “Pra, besoj se të kuptuarit e tij do të na e pasurojë jetën edhe më shumë”, tha Erdogan.

Ndryshe, gara e bukurleximit të Kur’anit këtë vit organizohet për herë të pestë. Aktiviteti i sivjetmë i dedikohet dëshmorëve që humbën jetën gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nga organizata terroriste FETO.