Erdogani në Sanxhak fajëson “fuqitë e huaja” për të gjitha vuajtjet e Ballkanit

Erdogani në Sanxhak fajëson “fuqitë e huaja” për të gjitha vuajtjet e Ballkanit

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi, sot, bashkë me homologun e tij Aleksandar Vuçiq qëndroi në Sanxhak, krahinë kjo e Serbisë e banuar me shumicë myslimane, prej nga i fajësoi “fuqitë e huaja” se kanë provokuar çdo kaos dhe konflikt që ka ndodhur në Ballkan”.

Duke iu drejtuar banorëve të Novi-Pazarit, kreu turk apeloi për unitet, dhe tha se “për çdo kaos dhe konflikt që ka ndodhur në Ballkan me provokime të fuqive të huaja” çmimin më të lartë e kanë paguar njerëzit që banojnë në atë rajon.

“Kudo që shkojmë në Ballkan hasim në afërsi dhe ngrohtësi”, tha Erdogani duke falënderuar Vuçiqin për mikpritjen.

Presidenti turk shprehu qëndrimin e veçantë të vendit të tij ndaj rajonit të Sanxhakut, me fjalët: “lumturia juaj është edhe lumturi e jona, dhembja juaj është edhe dhembje e jona”.

“Novi Pazari, vatani im, qyteti im më i dashur, atë e stolisin manastiri Sopoqani dhe kështjella e vjetër, ndërsa më e bukura është Xhamia Altun-alem”, porositi Erdogani, duke u zotuar se do të punojë për “rritjen e prosperitetit të Serbisë dhe Novi-Pazarit, si pjesë e rëndësishme e këtij vendi”.

Para banorëve të shumtë të Novi-Pazarit, të cilët e kishin stolisur qytetin me transparente turqisht dhe serbisht dhe me flamujt e të dy shteteve, Erdogan edhe një herë përsëriti se kolegu i tij serb Vuçiq është “një mik i vërtetë dhe i sinqertë i Turqisë”.

Me këtë rast, siç raporton Expressi ai theksoi se Vuçiqi ka qenë “një nga të parët” të cilët u dhanë përkrahje të madhe institucioneve të Turqisë natën kur atje ndodhi tentimi për puç. Për të njëjtën gjë Erdogan u shprehu mirënjohje edhe myslimanëve të Sanxhakut.

“Gjatë tërë vizitës Serbisë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë”, tha mes tjerash Erdogani, duke ia lënë Vuçiqit që ta kumtojë, siç tha, “lajmin e bukur” për ndërtimin e rrugës Beograd-Sarajevë.

Dy presidentët bënë një shëtitje rrugëve të Novi Pazarit, ndërsa gruaja e Recep Tayyip Erdoganit, Eminja, e vizitoi maternitetin e rinovuar në atë qytet.