Erdogan, “Sulltani” i ri i Turqisë

Erdogan, “Sulltani” i ri i Turqisë

Referendumi i mbajtur sot në Turqi për ndryshimet kushtetuese, me qëllim rritjen e fuqisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan është votuar “pro” me shumicë nga qytetarët turq.

Votuesit turq kanë vendosur t’i thonë “Po” këtij referendumi të propozuar nga presidenti Erdogan, raporton Insajderi. Nga 91 për qind e votave të numëruara, rreth 22 milionë turq kanë votuar pro ndryshimeve, ndërsa rreth 20 milionë kanë votuar kundër.

E me këto ndryshime kushtetuese, Erdogan do të rrisë fuqinë e tij në Turqi. Ai do të ketë mundësi të shkarkojë ministrat dhe zëvendëspresidentët, dhe po ashtu vetëm ai do të vendos për zgjedhje të parakohshme.

Deri më sot në Turqi janë zhvilluar 6 referendume për ndryshimet kushtetuese. Të cilësuar si “referendum” ata janë zhvilluar në vitet 1961, 1982, 1987, 1988, 2007 dhe 2010, ndërsa vetëm në atë të 1988-ës qytetarët i thanë jo ndryshimeve kushtetuese.

Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale pas referendumit do të zhvillohen më 3 nëntor 2019.

Këto janë pikat kushtetuese që do të ndryshohen pas referendumit:

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të 18 neneve, parashikohet rritja e numrit të deputetëve nga 550 që është aktualisht të shkojë në 600 dhe ulja e moshës për deputet nga 25 në 18 vjeç.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen një herë në 5 vite dhe në të njëjtën ditë. Personit të zgjedhur si president nuk do ti hiqet lidhja me partinë.

Kandidati për president mund të zgjidhet nga grupet parlamentare, partitë të cilat kanë marrë më shumë se 5 për qind të votave në zgjedhjet paraprake, ose me firmat e 100 mijë qytetarëve.

Nëse Presidenti akuzohet për diçka, parlamenti do të ketë mundësi që me një shumicë të theksuar ti hapë rrugën e dërgimit përpara drejtësisë.

Zëvendësit e Presidentit dhe ministrat do të mund të zgjidhen dhe shkarkohen nga presidenti. Ngritja e ministrive të reja, heqja, dhënia e detyrave, apo organizimi i tyre do të bëhet me vendim të presidentit.

Parlamenti me tre të pestat e votave do të mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

Nëse presidenti vendos për zgjedhje të reja, zgjedhjet presidenciale bëhen bashkë me ato parlamentare.

Nëse parlamenti vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjatë mandatit të dytë të presidentit, atëherë presidenti në detyrë do të ketë të drejtë të hedhë përsëri kandidaturën.

Numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ulet nga 17 në 15.