Erdogan: Shqiptarët që shkollohen në shkollat e Gylenit, kërcënim për shtetin

Erdogan: Shqiptarët që shkollohen në shkollat e Gylenit, kërcënim për shtetin

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të zgjedhur në Shqipëri, Ilir Meta, që të mbyllin shkollat e klerikut turk Fetullah Gylen, në Shqipëri.

Në një intervistë me Top-Channel, Erdogan tha se shkollat që rivali i tij Fetullah Gylen i ka hapur në Shqipëri janë të rrezkishme. Ai i këshilloi dy liderët shqiptarë që t’i kontaktojnë shkollat e një fondacioni tjetër turk.

“Kam një thirrje të veçantë për shqiptarët. Ju lutem mos i dërgoni fëmijët në shkollat e Gulenit. Të njëjtën kërkesë kam edhe për Edi Ramën dhe presidentin e zgjedhur. Mbyllini këto shkolla, por kontaktoni shkollat e fondacionit Marif, të cilat janë themeluar nga Ministria e Arsimit të Turqisë”, deklaroi Erdogan.

Sipas Erdoganit, fëmijët që shkollohen në shkollat e Gylenit mund të edukohen në mënyrë të keqe dhe më pas mund të jenë kërcënim për shtetin shqiptar.

“Shkollat e fonacionit Marif nuk do t’i viktimizojnë rininë shqiptare, por do t’i  edukojnë në mënyrën më të mirë. Ndërsa tek shkollat e Gylenit, ata mund të shkollohen në mënyrë jo të duhur. Më pas mund të infiltrohen në institucionet shqiptare dhe mund ta shkatërrojnë shtetin, andaj nuk duhet t’ia jepni atë mundësi”, deklaroi Erdogan.

Erdogan pretendon se shkollat e fondacionit Marif, që janë të lidhura me shtetin turk, do t’i formonin në mënyrë të duhur arsimore, fëmijët shqiptarë.

“Por vetëm dua të ju kujtoj para disa kohe, që disa lojëra të caktuara të mos luhen në Shqipëri dhe Fondacioni Marif të ndjekë shkollat e reja që do të hapen”, ka thënë ai. /Insajderi.com