Erdogan nervozohet pse nuk u lejua të flas para turqve në Gjermani

Erdogan nervozohet pse nuk u lejua të flas para turqve në Gjermani

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se Gjermania është duke “kryer vetëvrasje”, duke mos e lejuar atë që të flasë përpara turqve gjatë një tubimi në Gjermani.

“Gjermania duhet ta korrigjojë këtë gabim,” i tha ai gazetës Die Zeit, duke shtuar se “Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin”.

Gjermania ka bllokuar  Erdogan që të mbajë një fjalim tek mbështetësit gjatë samitit të G20 që pritet të mbahet në Hamburg këtë javë, i cili mund të shkaktojë protesta të mëdha nga kurdët që jetojnë në Gjermani.

Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel tha se nuk ishte “një ide e mirë” sepse “në periferi të G20 nuk kemi numrat e policëve për të garantuar sigurinë” e nevojshme.

Edhe më herët këtë vit, Gjermania dhe Holanda kanë ndaluar tubimet e Erdogan përpara mbështetësve.

Ai e quajti Evropën “fashiste dhe mizore”, i përshkroi holandezët si “mbetje naziste” dhe e akuzoi Gjermaninë për “veprime fashiste”.

Por në intervistën e tij të fundit ai insistoi se ai nuk kishte asnjë problem personal me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Merkel do të zhvillojë bisedime me Erdogan në periferi të samitit të G20, tha të mërkurën zëdhënësi i saj.

Marrëdhëniet midis partnerëve të NATO-s janë përkeqësuar gjatë muajve të fundit.

Të martën, Turqia dënoi një instilacion arti përpara ndërtesës së Kancelarisë gjermane ku Erdgoan portretizohej si diktator.