Erdogan: Fryma e fashizmit është përhapur në Evropë

15.03.2017 15:14
Erdogan: Fryma e fashizmit është përhapur në Evropë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha sot se “fryma e fashizmit” është përhapur në rrugët e Evropës, duke e krahasuar trajtimin e joevropianëve me atë të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Fryma e fashizmit është duke u përhapur ashpër nëpër rrugët e Evropës”, tha ai gjatë një fjalimi televiziv.

Këto komente të presidentit turk vijnë pas ndalimit të ministrave turk që të mbajnë fjalime në Holandë.

“Hebrenjtë janë trajtuar në të njëjtën mënyrë në të kaluarën”, ka shtuar ai, duke iu referuar persekutimit të hebrenjve nën Gjermaninë Naziste, raporton AFP.

“Turkofobia është në rritje, islamofobia është në rritje. Ata janë të frikësuar nga vetë migrantët që i strehojnë”, tha Erdogan, duke shtuar se Evropa po frikësohet nga gjithçka që “nuk është nga këtu”.

Autoritetet holandeze kanë ndaluar ministrat turq që të mbajnë tubime, për të marrë mbështetjen e komunitetit turk për referendumin, përmes së cilit do t’i rriten kompetencat Erdoganit. Referendumi pritet të mbahet më 16 prill.

Më herët gjatë këtij muaji, disa qytete gjermane po ashtu kanë anuluar tubimet politike të ministrave të qeverisë turke. Erdogan e akuzoi Berlinin për “praktika naziste”.

Lidhur me akuzat e Erdoganit për fashizëm në Holandë ka reaguar presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Ai ka thënë se “nëse dikush mendon se sheh fashizëm në Roterdam, ata janë të shkëputur plotësisht nga realiteti”.