Erdogan: Evropianë, ju jeni fashistë që shkruani thirrje raciste në xhami

26.03.2017 18:12
Erdogan: Evropianë, ju jeni fashistë që shkruani thirrje raciste në xhami

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka marrë pjesë sot në një ceremoni për inaugurimin e një sërë veprash në Gaziosmanpasha të Stambollit.

Gjatë fjalimit të mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Erdoğan ka adresuar lëvdata ndaj ushtrisë së Turqisë, duke thënë:

“Kemi një ushtri e cila shkatërron terroristët në mal dhe në qytet. Një ushtri që shkruan histori jashtë kufijve të vendit tonë. Ditën e djeshme u neutralizuan 19 terroristë në Hakkari, ndërsa këtë mëngjes 15 në Erzincan. Këtë popull nuk do të mund ta ndajnë. Ata të cilët mundohen të ndajnë këtë popull do të paguajnë çmimin për këtë”.

Ai ndër të tjera ka shtuar: “Me pastrimin e elementëve të FETO-s pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, ushtria jonë është bërë më efektive në operacione të suksesshme. Tashmë ushtria jonë, në bashkëpunim me forcat e tjera të sigurisë përfshirë këtu dhe policinë, janë në një koordinim të plotë. Tashmë ushtria jonë nuk është pastruar nga komandantët dhe vullneti politik, por nga njerëz që janë të lidhur me vende dhe hapësira të tjera”, njofton agjencia e lajmeve Anadolu.

Ndërsa në lidhje me zhvillimin e marshimeve nga ana e organizatave terroriste në vende të ndryshme të Evropës, Presidenti Erdoğan është shprehur: “Organizatat terroriste vendosin fotografinë e Presidentit të vendit tonë dhe afër saj një armë, ndërsa këtë gjë e bëjnë në organizim me partitë e majta në vende të ndryshme të Evropës si, Zvicër, Holandë, Belgjikë dhe Gjermani. Kur ne e ngremë këtë si shqetësim, këta zotërinjtë mërziten. Mos u mërzisni. Na mërzisni ju ne? do të mërziteni”.

“Përpjekjet tona në vend dhe rajon janë për t’iu dalë në ndihmë vëllezërve tanë në Turqi dhe rajon, si dhe për të rritur sigurinë tonë. Dua të flas hapur; Kush thotë se ‘çfarë kërkon Turqia në Siri’, dëshiron të keqen për Turqinë. Kush thotë se ‘çfarë kërkon Turqia në Irak’ dijeni se kërkon të keqen për këtë vend. Kush pyet se ‘përse përziheni për ato që ndodhin në Evropë’ dijeni se ka një armiqësi me popullin tonë. Kam një mesazh për fqinjët tanë, për vendet e Evropës dhe Rusinë. Ne nuk jemi armiku i askujt. Nuk kemi armiqësi me askënd. Krejtësisht e kundërta. Ne kërkojmë që të ndërtojmë marrëdhënie shumë të mira dhe të sinqerta, ekonomike, politike dhe kulturore”.

Ndërsa më pas Presidenti Erdoğan shtoi: “Do ti thuash Presidentit të Turqisë ‘diktator’ dhe kur ne themi ‘fashist’ këta zotërinjtë shqetësohen. Kur ne themi ‘nazist’ shqetësohen. Dua të flas me fakte. A nuk jeni ju që shkruani në muret e xhamive thirrje raciste dhe vendosni kryqin e thyer? A keni bërë gjë kundër tyre? A nuk jeni ju që dogjët dhe shembët xhamitë? A mund ta lëmë mënjanë ne fatkeqësinë e Solingen-it? A mund të lëmë mënjanë çështjen e NSU-së? Ende nuk e keni zgjedhur. Ende e mbani të varur. Ju jeni fashistë, fashistë”.