Epoka e re e brutalitetit – dhuna nuk është më tabu

Epoka e re e brutalitetit – dhuna nuk është më tabu

Të enjten e shkuar Xho Koks, një deputete e re britanike e Partisë Laburiste, u qëllua më armë dhe u godit me thikë në një rrugë publike. Ajo ndërroi jetë disa orë më vonë. Vrasja e kundërshtares së Brexit dhe nënës së dy fëmijëve, është një akt i tmerrshëm brenda një jave, në të cilën dhuna ka goditur në zemër të qytetërimit perëndimor. Viktimat qenë homoseksualë, policë dhe një politikane, dhe ngjarjet ndodhën në vendet e jetës sonë të përditshme:një klub, një rrugë, një shtëpi.

Kanë kaluar 10 vjet qëkur Kampionati Botëror e shndërroi Gjermaninë në një “përrallë të verës”, siç iu referuan vetë gjermanët. Gjatë javëve të atij turneu, bota dukej si një vend më i qetë. Ngjarjet botërore u zhvendosën në sfond, dhe ajo që kishte vërtet rëndësi qe drama sportive. Këtë verë, vëmendja jonë është përqendruar tek masakra në Orlando, terrori në Paris dhe imazhet e sjelljeve brutalitale të tifozëve huliganë.

Bari në fushën e futbollit është shndërruar në një zonë të kërcënuar. Ekziston një kontrast i fortë, kur pas lajmeve të transmetuara gjatë pushimit të pjesës së parë, shikuesit i rikthehen ndeshjes – pas fishkëllimës së gjyqtarit, edhe lojtarët përpiqen ta fitojnë atë. Gjatë ditës së tretë të turneut të kampionatit evropian të këtij viti, “masakra me e rëndë” në historinë e SHBA ndodhi në një klub gay të quajtur ”Pulse” në Orlando, ku 49 vetë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Vrasjet terroriste në qytetin e Manjavilit, pranë Parisit, ndodhën të nesërmen. Atje, një nënë u ekzekutua në sy djalit të saj 3-vjeçar, me autorin që e filmoi krimin e vet dhe e postoi në Facebook. Vetë ndeshjet e kampionatit u shoqëruan me trazira mes huliganëve anglezë, rusë dhe gjermanë. Mediat treguan një tifoz rus që shkelmonte kokën e një personi të shtrirë në tokë, imazhet e një agresioni të pakufizuar.

Orlando, Manjavil, Huliganëtg, vrasja e Xho Koks – këto ngjarje mund të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, por të marra së bashku paraqesin një imazh shqetësuese të kohës sonë të dhunshme bashkëkohore. Në mënyrë shqetësuese, dhuna po zgjerohet në hapësira private dhe gjysmë-private, të cilat më parë qenë dukur të sigurta – oborri përpara banesës, shtëpitë private, kafenetë apo klubet. “Pulse” qe një hapësirë e sigurt për homoseksualët dhe lezbiket. Dhe objektivat terroriste nuk mund të bëhen më private se sa një shtëpi e vogël me një gardh të bardhë, ku jetonte familja e policit të vrarë. Mesazhi është i qartë:terrorizmi mund të godasë gjithkënd, kudo

Nuk është numri i viktimave ai që na prek më shumë. Mund të jetë statistikisht e vërtetë, që  numri i viktimave të terrorit është më i ulët sesa ka qenë në dekadat e mëparshme, dhe se sulmet terroriste të IRA-s irlandeze dhe OCP-së palestineze në vitet 1970 kanë vranë më shumë njerëz. Mund të jetë gjithashtu e vërtetë se niveli i kërcënimit të perceptuar gjatë Luftës së Ftohtë, ishte më i lartë se sa sot.

Por këto ditë, ne s’kemi frikë vetëm nga terrorizmi, që referuar statistikave nuk ka gjasa të na prekë – ne jemi të shqetësuar mbi mënyrën e jetës sonë të qytetëruar. A nuk jemi rritur ne në Evropën Perëndimore, me idenë e përparimit të paqes, të dhunës globalisht në rënie, të përfshirë në shtete që zbatojnë paqen në interes të të gjithëve?

Pas ngjarjeve të Orlandos dhe Parisit, ne shohim sërish biografitë e autorëve për të kuptuar shkakun e urrejtjes së tyre – identitetin e tyre kompleks dhe prejardhjen sociale. Terrori politik i IRA-s apo OCP-së dukej më pak shqetësues se sa sulmet vetëvrasëse të kryera nga ujqit e vetmuar të radikalizuar, për shkak se të parat kishin synime politike, të cilat ishin të paktën të kuptueshme. Ndërsa dëshira e pastër për shkatërrim, e cila është tipike e terrorit të sotëm, mbetet mister.

Nëse dhuna mund të shpjegohet në një fare mënyre, atëherë ajo mund të luftohet në mënyrë aktive. Pastaj do të ketë “vetëm” ndonjë lajthitje, që mund të korrigjohet përmes politikës. Ekziston ndjesia se gjendemi në tekat e të paarsyeshmes, që na turbullon kaq shumë këto ditë.

Deri më tani, politikanët kanë bërë shumë pak për të zvogëluar brutalitetin e përshkallëzuar, përkundrazi.

Për shembull Donald Tramp, ka zhdukur tabunë kundër dhunës ,deri në pikën që ai nxit mbështetësit e tij për të rrahur kundërshtarët politikë. Dhe nënkryetari i parlamentit rus duartroket huliganët e dhunshëm: “Bravo, vazhdoni kështu!” Dhuna është duke u bërë e pranueshme për rrymën kryesore të politikës, dhe brutaliteti lavdërohet.

E njëjta gjë është edhe duke ndodhur, në një formë më të butë, në Gjermani me sharjet vulgare ndaj politikanëve, gazetarëve dhe disidentëve në internet, me kërcënime dhe sulme. Vrasja e Xho Koks na tregon se sa e shkurtër është distanca ndërmjet dhunës verbale dhe asaj fizike. Rasti i saj është gjithashtu një paralajmërim: Ne s’duhet të mësohemi me brutalitetin. Sepse kur dhuna nuk është më tabu, ajo e rrezikon shoqërinë e lirë. /“Der Spiegel”